Prokuroria ka kërkuar 20 vjet burgim për Sokol Sanxhaktarin, i akuzuar për vrasjen e Florian Lamçes, ngjarje që ka ndodhur më 20 Korrik të vitit 2020 në Elbasan. Ai akuzohet për “vrasje me dashje në bashkëpunim”.
Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Adriano Hajdari. Edhe për këtë person prokuroria ka kërkuar 20 vjet burgim. Për Sanxhaktarin dhe Hajdarin kërkohet që të vuhet dënimi i plotë dhe të mos përfitojnë lirim me kusht.
Në lidhje me ngjarjen kërkohet dënim edhe për 2 persona të tjerë. Për Amadeus Lamçjen, akuzuar për “moskallëzim krimi”, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “deklarim i rremë përpara oficerit të Policisë Gjyqësore” u kërkua 6 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për Mehmet Muçën akuzuar për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” u kërkua 6 vjet burgim.
Në tërësi për këta persona janë kërkuar 52 vjet dhe 6 muaj burgim në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.
Personat e mësipërm ndodheshin në një nga lokalet e qytetit të Elbasanit kur ka ndodhur ngjarja. Ata kishin konsumuar pije alkoolike. Rreth orës 4 të mëngjesit aty ka nisur një sherr me sende të forta.
Nga përplasja humbi jetën Florian Lamçe. Ai ka qenë i dënuar në të kaluarën me 3 vite burg për moskallëzim krimi për vrasjen e Almir Canit në 2012-ën në Elbasan. Për vrasjen po vuan dënimin me 22 vite burg vëllai i tij Olsi Lamçe.
/a.r