“Modernizimi përmes dixhitalizimit dhe investimeve në teknologji, si dhe reformimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore janë dy nga shtyllat kryesore ku do të fokusohet puna e Ministrisë së Brendshme përsa i përket Policisë së Shtetit”.
Kështu është shprehur ministri Bledi Çuçi gjatë një diskutimi me studentë dhe pedagogë në Universitetin Barleti. “Ajo që mund të bëjmë ne është të shfrytëzojmë modernizimin e teknologjisë. Shtete të cilat kanë mangësi për shkak të traditës, mund të arrijnë shpejtësinë e vendeve të tjera duke marrë teknologjinë e fundit.
Meqë teknologjia avancon shumë shpejt, ti mund të jesh në një investim të caktuar në teknologji në të njëjtin hap si një shtet i zhvilluar. Që në buxhetin e këtij viti unë arrita për fat të mirë të pesëfishojë investimet e parashikuara në teknologji krahasuar me një vit më parë”, tha ministri Çuçi.
Sa i përket reformimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (SHÇBA) ai përmendi ligjin e ri të miratuar në muajin dhjetor dhe shtimin e kompetencave për këtë institucion.
“Ajo që unë e besoj fort është se sa më shumë pavarësi të ketë një institucion në një sistem të caktuar, aq më shumë kontroll duhet ushtruar mbi këtë institucion, kontroll nga jashtë, jo kontroll politik. Objektivi tjetër është reformimi i Agjencisë Mbikëqyrëse të Policisë. Pra, duke i dhënë gjithmonë e më tepër pavarësi piramidës së policisë, por duke rritur instrumentat kontrollues. Kemi bërë një ligj të ri, që kjo agjenci nuk është strukturë policore, është civile, është jashtë strukturës së policisë. I kemi dhënë kompetenca më tepër se çka pasur SHÇBA”, deklaroi Ministri i Brendshëm.
Duke folur për procesin e Vettingut të trupës policore, ai tha se verifikimit të integritetit profesional e pasuror do t’i nënshtrohen vetëm ata punonjës që duan të marrin pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit.
“Kur mora detyrën si Ministër i Brendshëm e pezullova vettingun për të gjithë trupën policore. Dhe tani po fokusohem për një ligj tjetër, që vettingu të jetë një proces që do të bëhet për ata punonjës policie që duan të shkojnë në pozicione drejtuese. Kjo e rregulluar qartë. Integriteti profesional dhe morali i figurës dhe integriteti pasuror, i cili do të bëhet me një instrument që sot e ka ligji dhe shteti shqiptar; Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave”, theksoi ministri Çuçi.
Në vijim të diskutimit ai vlerësoi Policinë e Shtetit si një nga institucionet më të besueshme në vend, kjo duke iu referuar studimeve të huaja që masin perceptimin e publikut shqiptar. Çuçi evidentoi gjithashtu faktin se Policia e Shtetit sot kryen hetime të përbashkëta me vende të Bashkimit Europian si Spanja, Italia, Holanda etj. Nuk bëhet fjalë më për thjesht shkëmbim informacioni, por për skuadra të përbashkëta hetimore u shpreh ai, çka dëshmon për një nivel maksimal besueshmërie./m.j