Të tjera dokumente dalin në dritë që faktojnë abuzimet e Armando Dukës në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit. Bëhet fjalë për Autoritetin e Konkurrencës i cili ka gjetur shkelje të shumta të FSHF së drejtuar nga Armando Duke duke filluar që me biletat e gjer tek shitjet e të drejtave të transmetimit tek kompania ku është bashkaksioner. Në raportin e këtij Autoriteti që është firmosur dhe nga Helidon Bushati që vjen nga radhët e Partisë Demokratike, pohohen qartësisht abuzimet e Armando Dukës në detyrën si President duke favorizuar kompanitë e tij qoftë për marketing, ashtu dhe me dhënien e monopolist të së drejtës së transmetimeve sportive. Kjo pozitë dominuese sipas Autoritetit të Konkurrencës, ka sjellë dëme të pallogaritshme pasi ka cënuar tregun e lirë dhe ka detyruar qytetarët shqiptarë të paguajnë më shtrenjtë qoftë biletat sportive, ashtu dhe abonimet për të ndjekur në televizor ndeshje.
Si Duka ia shiti transmetimet kompanisë së tij
Autoriteti i Konkurrencës nënvizon se nga materialet e administruara, vihet re një lidhje që ekziston midis subjekteve që sponsorizojnë FSHF dhe pjesëmarrjes së tyre me të drejta pasurore në kompaninë DIGITALB. Kështu, sipas faqes së saj zyrtare, sponsor i FSHF është AMA Caffe (emri zyrtar – Neë Century). Në këtë shoqëri, Z. Agim Zeqo zotëron 55% të kuotës së kapitali, i cili në të njëjtën kohë është edhe aksionar i DIGITALB. Union Bank- Kjo shoqëri sponsorizuese ka lidhje me subjekte te cilët janë aksionarë të DIGITALB. Në shoqërinë Union Bank SHA, Z.Edmon Leka dhe Z.Niko Leka, zotërojnë respektivisht 1.77% të aksioneve, ndërkohë që këta dy individë janë zotërues në mënyrë të drejtpërdrejtë të 35% të aksioneve secili tek shoqëria Union Grup SHA, dhe janë zotërues 42.5% të kuotës së kapitalit secili tek shoqëria Arch Investor SHPK dhe zotërojnë më mënyre indirekte, nëpërmjet shoqërisë Union NET, nga 35% të kapitalit secili të shoqërisë Union Distribution Servis Albania SHPK. Më menyrë direkte dhe indirekte, Z.Edmon Leka dhe Z.Niko Leka, zotërojnë aksione në shoqërinë DIGITALB SHA dhe UNION BANK SHA. Nga materiali administruar rezulton se ka një ndërlidhje të interesave pasurore të përfaqësuesve ligjore të FSHF me pjesëmarrjen e tyre në aksionet e shoqërisë DIGITALB. Nga extratet e QKB, rezulton se shoqëria A.I.B.A. Kompani, me aksionar të vetëm Z.Armand Duka, zotëron 9.23% të aksioneve në shoqërinë DIGITALB. Po ashtu, Z.Armand Duka, në shoqërinë sponsorizuese AMA Caffee (Neë Century), zotëron 22.5% të kuotës së kapitalit, i cili në të njëjtën kohë është edhe përfaqësuesi ligjor (Presidenti FSHF)”, thuhet në raport.
Pse shqiptarët paguajnë shumë për ndeshjet televizive
Autoriteti i Konkurrencës thekson në raportin e tij se nisur nga pengesat e hyrjes në treg, fuqia ekonomike dhe financiare e ndërmarrjeve, fuqia kundërvepruese e konsumatorëve dhe klubeve të futbollit dhe karakteristikat e tjera të tregut, rezulton se FSHF në tregjet përkatëse ka pozitë dominuese. Raporti nënvizon se DIGITALB ka fituar të drejtën e transmetimit të ndeshjeve zyrtare të “Kategoria Superiore” dhe “Kupa e Shqipërisë” brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për sezonet/periudhën 15.08.2015-15.05.2018 si dhe për sezonet/periudhën 01.06.2018-01.06.2022. Nga auditi i kryer rezulton se kontrata e licensimit e dhënë për 3 dhe 4 vjet (të njëjtit operator) bie në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare.
“Ekskluziviteti i një kohëzgjatjeje më të gjatë dhe për një gamë më të gjerë të të drejtave mund të kufizojë konkurrencën duke përjashtuar operatorët e tjerë në tregun e rrjedhës së poshtme, aq më tepër kur kemi të bëjmë me operator me pozitë dominuese në të dy tregjet. Dhënia e ekskluzivitetit absolut në aspektin e fushëveprimit dhe kohëzgjatjes të të drejtës së transmetimit tek një blerës i vetëm kufizon tregun. Të drejtat e transmetimit të përcaktuara në kontratën e licensimit, i janë licensuar DIGITALB mbi baza ekskluzive ç’ka nënkupton që sipas termave të kësaj kontrate”, thuhet më tej.
Sipas Autoritetit, shitja e të drejtës audiovizive tek një operator i vetëm për një periudhë të gjatë dhe duke përfshirë në një paketë të vetme të gjithë të drejtat ekskluzive, përbën një sjellje përjashtuese dhe me pasojë kufizimin e tregut, gjë e cila në kuptim të nenit 9, pika 2 germa (a) të ligjit nr. 9121/2003 përbën abuzim me pozitën dominuese. “Kontratat e lidhura ndërmjet FSHF dhe Digitalb me nr. 1209 prot., datë 15.09.2015, dhe nr. 1001 prot., date 18.09.2018, janë “kontrata ekskluziviteti” ku përfshihet “Kategoria Superiore” dhe “Kupa e Shqipërisë” me dallimin në ofertë me paketën A (ndeshjet kryesore, të rëndësishme) dhe B (ndeshjet e tjera). FSHF nuk bën të qartë në qëndrimin e saj se përse është bërë oferta për shitjen e transmetimin e përbashkët për të dy kompeticionet, pavarësisht se këto kompeticione janë të ndara ndërmjet tyre. Ndarja që është bërë në ofertë me paketën A dhe B por që përfshin të dy kompeticionet, në kuptim të nenit 9, pika 2 germa (a) të ligjit nr. 9121/2003 është formë e abuzimit me pozitën që ka FSHF për t’i shitur bashkë (bundle) duke mos ofruar alternativa në ofertën e saj”, theksohet më tej.
Një tjetër pikë e abuzimit duke favorizuar DIGITALB është dhe e drejta e shitjes së “Highliteve” të ndeshjeve. “Highlitet” janë element jo kryesor i kontratave të lidhura midis FSHF dhe DIGITALB, por janë plotësues dhe si të tillë nuk duhet që detyrimisht të përfshihen në ekskluzivitetin e saj. Ky ekskluzivitet shtesë i dhënë kufizon konkurrencën, pasi i heq mundësinë ndërmarrjeve që operojnë në tregun audioviziv për të marr pjesë, dhe përbën një abuzim me pozitën dominuese në kuptim të nenit 9, pika 2, germa (a) të ligjit nr. 9121/2003”, thekson Raporti.
Si bllokon Duka kompanitë rivale të reklamohen në stadium
Autoriteti konstaton se Kontratat e lidhura midis FSHF dhe DIGITALB, përkatësisht kontrata me nr. 1209 prot., datë 15.09.2015, dhe kontrata me nr. 1001 prot., date 18.09.2018, në pikën 4.3 të tyre citojnë: “Reklamat e klientëve të Digitalb, që janë konkurrentë të drejtpërdrejtë të sponsorizimeve të përgjithshëm të FSHF nuk kanë të drejtë të transmetohen gjatë pjesës së parë dhe pjesës së dytë të ndeshjes. Ndërsa blloku publicitar i klientëve që nuk konkurrojnë sponsorët e përgjithshëm të FSHF do të transmetohen në një bllok të veçantë publicitar “. Kjo dispozitë përbën një kufizim të reklamimit të aktivitetit të ndërmarrjeve që janë konkurrent të sponsorëve të FSHF, duke vendosur në kuptim të nenit 9, pika 2, gërma (a), kushte të padrejta tregtimi”, thuhet në raporton e përgatitur nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, ku duhet theksuar është firmosur dhe nga përfaqësuesit e PD.
Detyrat e lëna nga Autoriteti i Konkurrencës
Nisur nga dokumentet që Armando Duka është aksionet te DigitAlb dhe në të njëjtën kohë dhe President I FSHF që shet të drejtat e transmetimit. Auriteti i Konkurrencës i ka kërkuar që të shamngë çdo lloj lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pasurore, midis sponsorizuesve të saj dhe përfaqësimit pasuror pranë shoqërisë DIGITALB, lidhje të cilat ndikojnë në kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës, të krijuar për shkak të pozitës së saj dominuese. Anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës kërkojnë detyrimin e FSHF për shmangien e çdo lloj lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pasurore, midis përfaqësuesve ligjore të saj dhe përfaqësimit pasuror pranë shoqërisë DIGITALB, lidhje të cilat ndikojnë në kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës, të krijuar për shkak të pozitës së saj dominuese.
/b.h