Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Manati në Lezhë, ku viktimë ka mbetur një 65-vjeçar. Nga informacionet paraprake mësohet se viktimë ka mbetur Lek Lekgjonaj, i cili është vrarë në oborrin e shtëpisë. Vrasja dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje.
Policia ka identifikuar autorin e vrasjes së Lek Lekgjonajt, i cili është një i mitur vetëm 17-vjeç. Dyshohet se vrasja ka ndodhur për gjakmarrje, pasi vëllai i viktimës, ka vrarë babain e të miturit.
Policia e Lezhës ka dhënë detajet e para në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar sot në fshatin Manati.
“Policia e Lezhës neutralizon dhe vë në pranga në kohë rekord, një 17-vjeçar që kreu vrasjen e 65-vjeçarit, para pak minutash, në fshatin Manati të Lezhës. Sekuestrohet dhe arma e krimit. Shërbimet e DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Manati kishte të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Falë reagimit profesional e të menjëhershëm është bërë i mundur neutralizimi dhe kapja e 17-vjecarit F. P. 17-vjeçari, rreth orës 12:00, në rrethana ende të paqarta dyshohet se vrau me armë zjarri shtetasin L. L., 65 vjeç, banues në Manati, dyshohet për motive hakmarrjeje. Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar dhe armën zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se 17-vjeçari kreu krimin. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
g.kosovari