Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e Bleder Muçës në Aartselaar (provinca e Antëerp) në Belgjikë. ABC duke iu referuar mediave belge, mëson se Muça është ekzekutuar me disa plumba, ndërsa një prej tyre e ka marrë në kokë. Sipas hetuesve raportohet se qitësit kanë qenë profesionistë nga mënyra se si është ekzekutuar 39-vjeçari nga Elbasani. Dyshohet se autorët e kanë ndjekur prej kohësh Muçën duke ditur çdo lëvizje të tij.
Bledar Muça u ekzekutua të shtunën pak pas orës 23:00 në Baron Van Ertbornstraat. Viktima është qëlluar me armë zjarri në një rrugicë në dalje të autostradës dhe si pasojë e plagëve nga plumbat ka ndërruar jetë në vend.
Po ashtu ABC mëson se viktima është qëlluar para derës së tij sapo ka mbërritur me makinë. Bledar Muça kishte shtetësi britanike dhe për autoritetet vendase ka qenë e vështirë fillimisht identifikimi si shqiptar i tij. Pas hetimeve, Bledar Muçës i është gjetur edhe një pasaportë tjetër bullgare me identitet tjetër. Është dashur identifikimi me gjurmë gishtërinjsh për të zbuluar se viktima është Bledar Muça 39-vjeç nga Elbasani.
Mësohet se në këtë atentat kanë marrë pjesë të paktën dy persona, të cilët pas krimit u larguan me një makinë. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të autorëve.
Ekzekutimi i Bledar Muçës në Aartselaar të kujton gjithashtu luftën e drogës në Bruksel , e cila u zbulua pjesërisht nga Operacioni Sky. Aty u zbulua një grindje territoriale mes dy klaneve që rezultoi në të paktën tetë arrestime, si në vendin tonë ashtu edhe në Shqipëri. Në Molenbeek vitin e kaluar u vra me tetë plumba edhe një tjetër shqiptar, ndonëse ajo vrasje nuk do të kishte lidhje me këtë klan mafioz.
Bledar Muça është emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe rezulton i përfshirë në shumë ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit. Në këtë qytet ai njihet për lidhjet e ngushta me fisin Çapja, ndërsa konsiderohej si “krahu i djathtë” i Ardjan dhe Florenc Çapjas.
Në verën e vitit 2016 ai u arrestua dhe u dënua me dy vite burg pasi qëlloi me armë ndaj efektivëve të policisë teksa ishin në vëzhgim të familjes Çapja. Muça u filmua nga kamerat e sigurisë me armë në dorë duke qëlluar ndaj policisë.
g.kosovari