Bashkia e Tiranës, në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit, do të kërkojë të Hënën një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për shkeljet dhe korrupsionin 20 vjeçar të Armando Dukës në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Burime nga Bashkia e Tiranës për Gazetën Sport konfirmojnë se, prej dy javësh, një skuadër juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë po asistojnë aksionerin e Tiranës në një dosje voluminoze shkeljesh, për t’ia prezantuar FBI, DEA, NCA, Scotland Yard, SPAK, Prokurorisë së Tiranës, Krimit Ekonomik, Agjencisë së Pastrimit të Parave, AMA, Hetimit Tatimor, AKU, si dhe ambasadave Amerikane e Britanike në Tiranë.
Çështjet e shitjeve ndërkombëtare të ndeshjeve dhe basteve të paracaktuara do t’i paraqiten oficerëve rajonalë të FBI. Kujtojmë se agjentët amerikanë çuan në rrëzimin e Blatter e Platini – miqtë “e pathyeshëm të Dukës”, që mbyllën me dënime penale karrierat e tyre!
Sipas burimeve, agjentet e DEA me qendër rajonale në Athinë – agjencia amerikane e antidrogës – do të prezantohen me të gjitha provat e parave të drogës në sport, me dijeni e mbështetje të Armando Dukës me elementë të botës së krimit në Shijak e vende të tjera të Europës e Amerikës Latine.
Nuk mbetet pas dosja britanike, për të dhëna të burimeve dhe shpenzimeve të pajustifikuara të familjes Duka në blerje pronash, makinash luksoze e asetesh në shifra të jashtëzakonshme. Scotland Yard dhe NCA, që gjurmon posaçërisht pastrimin e parave nga subjektet e huaja në Britaninë e Madhe, do të kenë të hënën prova të pakundërshtueshme sipas aksionerëve të Tiranës.
Ndërkohë, me shkresën me nr. 23859 prot. më datë 26.11.2021, është referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Tiranë materiali procedurial për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i k. Penal në ngarkim të drejtuesve e punonjësve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në lidhje me këtë çështje është dërguar material shtesë me shkresën 23859/k/1, prot më datë 03.12.2021. Gjithashtu, me shkresën 23859/k/2 prot. më datë 16.12. 2021, është dërguar sërish material shtesë. Burime të prokurorisë së Tiranës konfirmojnë se çështjes do t’i shtohen dhe dy prokurorë të tjerë për të përshpejtuar hetimin.
Një sërë veprash të tjera për të drejtat e transmetimit, pastrimin e parave, apo kontratat e paligjshme në konflikt interesi të marketingut në futboll të kompanive të Dukës si AIBA, SuperSport, EcoMarket, GoTech, Kantina Duka, do t’i paraqiten për evazion fiskal agjencive shqiptare të Pastrimit të Parave, Krimit Ekonomik dhe Hetimit Tatimor! Duke qenë se aksionet janë të përbashkëta mes Armando Dukës dhe vëllait deputet Agron Duka, dosja voluminoze do t’i paraqitet edhe SPAK dhe ILDKP, si institucione që ndjekin posaçërisht politikanët e përfshirë në aktivitet kriminal.
Burime të Bashkisë së Tiranës, pohojnë se kanë përfshirë dhe konsulentë të huaj të medias për të ndërkombëtarizuar shkeljet e Dukës në abuzimet me Fondet e Solidaritetit të dhëna nga FIFA e UEFA, që nuk kanë shkuar për shoqatat e fëmijëve, por janë devijuar për zyrat e reja të Dukës. FIFA është akuzuar prej kohësh për mungesë kontrolli me abuzimet e federatave lokale me drejtues si Duka, dhe mesa duket një valë e re mediatike për këto shpërdorime ndërkombëtare po bëhet e pashmangshme.
Bashkia e Tiranës, si aksioner i FK Tiranës, do t’i përcjellë dosjen e plotë edhe Ambasadave Amerikane e Britanike në Shqipëri, për të kërkuar revokimin e vizave të familjes Duka, si minues përsëritës së demokracisë në futbollin shqiptar dhe të dyshuar në një sërë veprash penale!
Kjo është hera e parë që ka një mobilizim të tillë të institucioneve ndërkombëtare për të hetuar Armando Dukën dhe abuzimet në FSHF. Javën e kaluar u ndalua nga policia delegati i tij, Fundim Dollaku, për falsifikim të firmës së Kryetarit të Bashkisë së Shijakut, që të votonte paligjshmërisht Dukën.
Beteja Veliaj-Duka pritet të ashpërsohet javën që vjen me zgjedhjet për Shoqatën e Tiranës, ku Duka kërkon mandatin e 6-të pas 20 vitesh në krye të FSHF që nga viti 2002! /Gazeta SPORT/
/b.h