Ministria e Brendshme po mendon të ndërpresë zyrtarisht procesin e vetingut në Policinë e Shtetit për gradat ulëta, duke e lënë në fuqi vetëm për drejtuesit e lartë dhe ata madhorë. Shkak janë bërë zvarritjet e shumta, ndërsa ndërkombëtarët e kanë cilësuar të panevojshëm.
Vendimi nuk është marrë ende zyrtarisht, megjithatë, për shkak të ngërçeve dhe vonesave, po shkohet drejt një propozimi të tillë.
Me ardhjen në detyrë të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, bashkë me një grup deputetësh u vendos ndërprerja e këtij procesi në Polici dhe Gardë dhe përqendrimi vetëm tek SHÇBA-ja, e cila do të vijonte më tej procesin e veting-ut për dy institucionet e tjera. Ndërprerja erdhi edhe pas rekomandimeve të GRECO, një organizëm që funksionon pranë Këshillit të Evropës. Edhe pas ndërprerjes në pranverë 2021 të kontrolleve në Polici dhe Gardë dhe përqendrimit tek SHÇBA, sërish procesi ka lëvizur me ritme shumë të ulëta dhe parashikohet që 42 subjektet ta përfundojnë deri në fund të vitit 2022.
Shqiptarja.com