Krimonologu italian Vincenzo Musacchio, foli në një intervistë ekskluzive për Zona Zero në Top Neës për rritjen e pandalshme të krimit të organizuar shqiptar.
I pyetur nga gazetari Thimi Samarxhi për ngjashmëritë e asaj që mund ta quajmë “mafia shqiptare” dhe Ndranghetta-s në Itali, Musacchio tha se janë të shumta.
“Shumë e njëjtë, se kanë strukturë të ngjashme. Bazohet mbi lidhjet e gjakut, pjesa më e madhe e tyre i përkasin të njëjtit trung familjar.
Në Itali, Ndranghetta ka shumë pak të penduar, ndryshe nga Camorra apo Cosa Nostra. Ashtu ndodh dhe me shqiptarët. Vështirësia kryesore është tek përgjimet, sepse është e vështirë të kuptohet dhe gjuha shqipe. Kemi vështirësi të këtij lloji.
Mafia shqiptare ka karakteristika të caktuara, që jo shumë i njohin. Është një mafie mizore dhe ka marrëdhënie në çdo vend të botës. Kriminaliteti shqiptar është i përbërë nga persona shumë të mprehtë e të zgjuar. Kanë mësuar çdo gjë nga mafiet e tjera dhe madje i kanë tejkaluar në bërjen e gjërave,” tha kriminologu.
Ku ndryshon kupola shqiptare nga kupolat e tjera mafioze?
“Mbi të gjitha, mafia shqiptare nuk ka një kupolë, ndryshe nga Cosa Nostra që e kishte një të tillë në kohën e Toto Riinas.
As Ndranghetta nuk ka një kupolë. Mafia shqiptare përbëhet nga diçka e ngjashme me mafien kalabreze. Janë të vështira për t’u luftuar se nuk kanë atë strukturë. Plus që zinxhiri i komandimit është në Shqipëri. Është e vështirë të depërtohet. Shqiptarët ndodhen kudo, në të 27 vendet e BE-së,” u shpreh Musacchio./m.j