Seksioni në shqip i Radio Vatikanit raporton se në fjalimin tradicional drejtuar ambasadorëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë në sallën Regia të Pallatit apostolik të Vatikanit, Papa Françesku nënvizoi me kënaqësi se, gjatë vitit të kaluar, numri i ambasadorëve rezidentë në Romë është rritur më tej.
Një shenjë domethënëse të vëmendjes me të cilën Komuniteti ndërkombëtar ndjek aktivitetin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Por organiz zyrtar i selisë së shenjtë shpreh shqetësimin për mospërfaqësimin e Shqipërisë në nivel ambasadori në Vatikan.
“Vendi i shqiponjave”, siç e quajti Papa Françesku, Shqipërinë, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë, më 21 shtator 2014, ende nuk përfaqësohet pranë Selisë së Shenjtë me një Ambasador.
Radio Vatikani thote se ambasadori i fundit i Shqipërisë pranë Vatikanit është larguar prej muajsh dhe zëvendësi i tij, në ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së shenjtë, ende nuk është emëruar.
Kjo për shkak të mosgjetjes së gjuhës së përbashklët mes qeverisë dhe Institucionit të presidentit të republikës lidhur me kandidaturat për ambassador të Shqipërisë në Vatikan.
Shqipëria, ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë më 7 shtator 1991, në rangun e Nunciaturës Apostolike për Vatikanin e të Ambasadës për Shqipërinë.