Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha të enjten nga Kurbini ka falendëruar mbështetësit e tij për këmbënguljen dhe durimin që kanë treguar në përballje me sfidat. Në fjalën e tij, kryedemokrati theksoi se asgjë nuk do t’i rrëzojë demokratët, ndërsa shtoi se këta të fundit do të ngrihen më të fortë.
“Falendërimi i parë i takon demokratëve të Kurbinit që na mirëpresin në shtëpinë e tyre, në Lezhë dhe Mirditë, që na bashkohen sot këtu në Laç”, tha ai.
Sipas tij, kjo sallë është mbushur plot e përplot dhe prapë është e vogël për guximin dhe kurajën e demokratëve të Kurbinit, Lezhës dhe Mirditës.
“Ndodhemi në një situatë ku askush nuk e dëshironte. Detyra e demokratëve ka qenë të përballen me situata të tilla. Kemi pasur situata të vështira, disa edhe si rezultat i gabimeve tona, por demokratët i diferencon diçka , aftësia për të menduar me kokën e tyre dhe jo me kokën e idhullit të rremë”, tha Basha.
Ai, deklaroi se aftësia për të folur të vërtetën, siç është dhe aftësia për të marrë vendim, i japin demokratëve vlerat më të mëdha.
“Nuk na rrëzojnë dot do të ngrihemi edhe më të fortë. Ne jemi bashkë sepse kemi lindur si një familje politike me shpresën e shqiptarëve për ndryshim, ndaj jemi bashkë dhe kemi vazhduar në ditët e errëta ku prapambetjet e regjimit tentuan të kthejnë rrotën e historisë”, tha Basha.
/a.r