Në një kundërshtim ndaj ish-presidentit Donald Trump, Gjykata e Lartë i hapi rrugën publikimit të dokumenteve presidenciale të kërkuara nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e 6 janarit në Kapitol.
Gjykatësit të mërkurën kundërshtuan një kërkesë të ish-presidentit Trump për të bllokuar dorëzimin e dokumenteve tek Komisioni i 6 janarit derisa çështja të zgjidhej përfundimisht nga gjykatat. Avokatët e ish-presidentit Trump shpresonin të zgjasnin betejën gjyqësore dhe të bllokonin publikimin e dokumenteve.
Pas veprimit të Gjykatës së Lartë, nuk ka asnjë pengesë ligjore për dorëzimin e dokumenteve, të cilat mbahen nga Administrata Kombëtare e Arkivit. Ato përfshijnë ditarë presidencialë, regjistra vizitorësh, fjalime dhe shënime të shkruara me dorë që kanë të bëjnë me 6 janarin nga dosjet e ish-shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows.
I vetëm mes anëtarëve të tjerë të gjykatës, Clarence Thomas tha se do ta kishte pranuar kërkesën e ish-presidentit Trump për të bllokuar publikimin e dokumenteve.
Avokatët e zotit Trump i kishin kërkuar Gjykatës së Lartë të anulonte vendimet e gjykatës federale të apelit në Uashington dhe të bllokonte publikimin e të dhënave edhe pasi Presidenti Joe Biden hoqi dorë nga privilegji ekzekutiv mbi to.
Në një njoftim mbi vendimin, gjykata pranoi se ka “shqetësime serioze dhe thelbësore” mbi çështjen nëse një ish-president mund të fitojë një urdhër gjykate për të bllokuar publikimin e të dhënave të caktuara nga koha e tij në detyrë në një situatë si kjo.
Por Gjykata e Lartë vuri në dukje se gjykata e apelit përcaktoi se pohimi për privilegj nga ish-presidenti Trump mbi dokumentet do të dështonte në çdo rrethanë, “edhe nëse ai do të ishte në detyrë”.
Zëdhënësit e zotit Trump nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve Associated Press për koment./ VOA
g.kosovari