Nga Eduard Zaloshnja
Votimi për kryebashkiakët në Shqipëri është mazhoritar, me një raund. Që do të thotë se një kandidat mund të fitojë edhe me 40% të votave, në qoftë se 2-3 kandidatë kundërshtarë e ndjanë mes tyre 60-përqindëshin tjetër. Për këtë arsye të thjeshtë arithmetike, ndarja e PD-së më dysh mund ta dëmtojë opozitën në zgjedhjet e ardhshme lokale, të pjesshme apo të plota.
Ndërsa votimi për deputetët e parlamentit është më i ndërlikuar matematikisht. Në qoftë se disa parti duan të krijojnë një front unik para zgjedhjeve, duhet të dalin me listë të përbashkët (siç e diktojnë ndryshimet më të fundit të njëanëshme të Kodit Zgjedhor, të iniciuara nga Rama).
Të paktën para zgjedhjeve parlamentare të rradhës, një front unik paraelektoral mes Bashistëve, Berishistëve e Metistëve nuk është i pritshëm (mes dy grupeve të fundit ndoshta po). Pra, më e mundshmja është që në zgjedhjet parlamentare të rradhës të kemi dy fronte opozitare paraelektorale.
Përballja me Ramën e opozitës së ndarë në dy fronte duket në pamje të parë se e dëmton atë. Por jo domosdoshmërisht. Në elektoratin e djathtë, ka votues që janë gati të votojnë për PD-në, vetëm në qoftë se Berishistët nuk janë në krye të qoshesë së ShQUP-it. Nga ana tjetër, ka votues të djathtë që janë gati të votojnë për PD-në, vetëm në qoftë se Bashistët nuk janë në krye të qoshesë së ShQUP-it.
Me fjalë të tjera, dy PD-të mund të marrin më shumë vota në total, në qoftë se garojnë të ndara. Dhe në qoftë se shpërndarja e votave mes tyre ndjek një konfigurim të favorshëm gjeografik nëpër 12 qarqet e Shqipërisë, Rama mund të mos e arrijë dot numrin magjik të 71 mandateve parlamentare në rang republike.
Pas një situate të tillë, Bashistëve, Berishistëve dhe Metistëve thjesht do t’ju duhet të bëjnë një koalicion pas-zgjedhor për të krijuar qeverinë. Gjë që ka ndodhur më parë…