Presidenti Ilir Meta pritet që shumë shpejt të shpallë zgjedhje të pjesshme në 6 bashki.
Aldo Bumçi në një intervistë për Ora News ka bërë me dije se deputetët e PD, mbështetës të Berishës do të futen si kandidatë ta pavarur, në zgjedhjet për kryetar bashkie.
Aldo Bumçi: Pa dyshim që do futemi në zgjedhje. Ne jemi PD. Shumica e anëtarëve të PD ka vendosur me votë në Kuvend dhe në referendum se kush e drejton PD. Ka një përpjekje për të emëruar opozitën nga Rama. Kjo është shumë e rëndë. Kemi ndërhyrjen e policisë së shtetit dhe mbrojtjen që iu dha Bashës për të mbrojtur selinë, që të duket se është opozita.
Përsa i përket përjashtimit të deputetëve të PD mbështetës së ish-Kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar, Bumçi tha se dje u shkel ligji i Kuvendit të Shqipërisë pasi sipas tij nuk ka asnjë nen që dikush mund të marrë përjashtimin e deputetëve nga grupi parlamentar.
Aldo Bumçi: Në Kuvendin e Shqipërisë u shkel ligji i parlamentit shqiptar. Ai që prodhon ligje shkeli rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Nuk ka përjashtim deputetësh nga grupi parlamentar. Sekretari i përgjithshëm i PD nuk ka lidhje fare me grupin parlamentar. Grupi parlamentar bazohet në rregulloren e Kuvendit. Nuk ka asnjë nen që ti mund të përjashtosh deputetët nga grupi parlamentar. Kjo mënyrë është e paligjshme. Selia e PD do merret thjesht me vonesë.
Teksa është ndalur sërish tek zgjedhjet, Bumçi tha se në Shkodër, Durrës, Dibër, Rrogozhinë, Lushnje dhe Vorë, PD do të ketë përfaqësuesit e tyre për kryetar bashkia.
Aldo Bumçi: Ne nuk do e lëmë fushën e lirë. Demokratët dhe qytetarët shqiptarë në Shkodër, Durrës, Dibër, Rrogozhinë, Lushnje dhe Vorë do të kenë mundësi të shprehin revoltën e tyre kundër Edi Ramës. Janë një numër i madh njerëzish që nuk e durojnë dot Ramën Nuk do e pranojnë si Kryeministër dhe do e shprehin me votën e tyre duke votuar opozitën e vërtetë. Ne do i regjistrojmë kandidatët tanë si të pavarur. Qytetarët do të kenë përfaqësuesit e tyre. Do të hyjmë për t’i fituar këto bashki./m.j