Gjykata e Posaçme e Apelit ka marrë sot vendimin për të lënë në fuqi vendimin e sekuestrimit të pasurive të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.
Në një njoftim për mediat GJKKO e Apelit njofton se kanë vendosur që të mos ndryshojnë vendimin e shkallës së parë. Ka qenë ish-ministri që ka apeluar vendimin, por dhe në këtë shkallë e ka humbur betejën me drejtësinë.
“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 18.01.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shqyrtua çështja me nr. 13 akti, datë 07.01.2022 regjistrimi, mbi ankimin e të hetuarit (ankues) L.K., lidhur me “Heqjen e sekuestros preventive, të vendosur me vendimin nr. 484, datë 13.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, ku trupi gjykues monokratik i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi, miratimin e vendimit nr. 484 akti, datë 13.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në pikat 1, 4, 5, 8 dhe 9 të tij, që lidhen me pasuritë e ankuesit”, është ky njoftimi i gjykatës.
/a.r