Qeveria është tashmë gati për të ngritur regjistrin e shtetasve që jetojnë jashtë Shqipërisë, për tu garantuar atyre shërbimet që ofron vendi si dhe të drejtën e votës. Lajmin e bënë të ditur Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri dhe ai i Politikës së Jashtme Ditmir Bushati. Pritet që me nisjen e sesionit të ri parlamentar, qeveria të depozitojë në kuvend projekligjin për identifikimin dhe regjistrimin e shtetasve që jetojnë në emigrim.
“Regjistri për shqiptarët që jetojnë jashtë është një hap konkret për të garantuar të drejtën e votës për ta. Ligji hedh bazat për të gjithë gamën e shërbimeve për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe hapin e parë për garantimin e së drejtës së votës”, tha Tahiri.
Tahiri u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë që të bashkëpunojnë me strukturat shtetërore kur të kontaktohen prej tyre. Ai tha se barra për t’u garantuar emigrantëve shërbimet i kalon shtetit shqiptar.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e cilësoi nismën si tregues të vullnetit të maxhorancës për t’u kthyer mbrapsht borxhin që shteti u ka qytetarëve të vet që kanë ndihmuar në zhvillimin e vendit në këto dy dekada.
“Synojmë evidentimin dhe identifikimin e shtetasve shqiptarë kudo që jetojnë për t’u ofruar shërbimet dhe më pas gradualisht të jetësojmë edhe të drejtën e votës”, shtoi ai.
Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua projektligji për regjistrimin e shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë:
Qeveria miratoi projektligjin për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë duke i hapur kështu rrugë një procesi themelor në përpjekjet tona shtetformuese, për t’i dhënë fund një herë e mirë errësirës së informacionit dhe mbi të gjitha mungesës së shërbimit për të gjithë ata shqiptarë që kanë ndërtuar jetën e tyre me familjet e tyre jashtë Shqipërisë.
Ky është një proces mjaft i rëndësishëm në kuadër të një procesi tjetër, krijimi i regjistrit unik të shtetasve dhe adresave, i quajtur ‘’Popullimi’’ i cili do të konsistojë përveç përmirësimit të sistemit në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsa i takon regjistrit të Gjendjes Civile dhe Regjistrit të Adresave edhe në një proces i cili do të shkojë derë më derë te çdo familje shqiptare për të bërë popullimin e dy regjistrave dhe bashkimin e tyre në një për t’i dhënë fund dyshimeve apo mungesës së informacionit që kemi patur në këto njëzet e kusur vite, sesa shqiptarë jemi brenda kufijve dhe ku banojmë.
Kjo nga njëra anë dhe nga ana tjetër krijimi i Regjistrit të Posaçëm për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë duke i kthyer borxhin që i ka shteti emigrantëve të cilët kanë kontribuar në mënyrë të qenësishme për zhvillimin e vendit tonë, të cilët kontribuojnë ende për zhvillimin e Shqipërisë dhe të cilët mbajnë lidhje konstante dhe intensive me vendin e tyre.
Duke krijuar Regjistrin e Shtetasve që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe duke bërë çfarë është e mundur për t’i dhënë shërbime në adresën ku banojnë.
Kemi ideuar një proces që barrën dhe detyrimin e regjistrimit të emigrantëve e ngarkon te shteti. Ajo që kërkohet nga shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë është vetëm iniciativa për të dhënë informacionin pranë zyrave konsullore apo institucioneve në vendin tonë apo me një mekanizëm mjaft të thjesht të regjistrimit online të adresës.
Barra e konfirmimit të adresës e konfirmimit të informacionit dhe mbajtjes së lidhjes konstante me shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendin i takon shtetit shqiptar dhe institucioneve shqiptare.
Ne kemi krijuar një mundësi që ç’bën errësirë njëzet e kusur vjeçare dhe mungesën e shërbimeve njëzet e kusur vjeçare ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë ndaj të cilëve jemi të gjithë borxhlinj.
Kjo është hera e parë në 25 vite që shteti dhe shoqëria i kthejnë borxhin mbrapsht duke krijuar një mundësi për t’i regjistruar dhe një mundësi maksimale për t’i dhënë shërbime në shtëpitë e tyre.
Shërbimet fillojnë që nga shërbimet bazike konsullore dhe për dokumentacionin zyrtar që u shërben emigrantëve në shtetet ku jetojnë, deri te shërbimet që deri sot i kanë marrë duke ardhur në Shqipëri, duke konsumuar para, duke konsumuar kohë dhe duke u bërë tejet të vështirë lidhjen me vendin tonë.
Ne po zhdukim të gjitha këto barriera duke krijuar një mundësi teknologjike për të regjistruar shtetasit shqiptarë nga njëra anë dhe për t’u dhënë shërbime në shtëpinë e tyre nga ana tjetër.
Këtu, pa asnjë dyshim futet edhe shërbimi themelor që duhet t’u garantojmë qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë që është e drejta e votës.
Është një premtim i vazhdueshëm që ka dalë në sipërfaqe sa herë politika është kujtuar për emigrantët, kjo qeveri hedh hapin e parë konkret për të garantuar të drejtën e votës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Duke i regjistruar, duke ditur ku jetojnë krijojmë premisën kryesore për të garantuar që shtetasit shqiptarë të kontribuojnë për jetën politike në vend, të kontribuojnë për klasën politike në vend, të kontribuojnë për fatet e vendit, duke vendosur fatet e të ardhmes nëpërmjet ushtrimit të së drejtës së votës.
Një premtim të cilin e trashëgojmë prej kohësh por që është kthyer në një angazhim konkret dhe hapa konkretë të kësaj qeverie për të garantuar njëherë e mirë të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë.
Ky ligj që u miratua sot në qeveri hedh bazat për të gjithë gamën e shërbimeve që do jepen për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, përfshirë këtu edhe gurin e themelit apo hapin e parë për garantimin e të drejtës së votës.
Sigurisht, Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera do punojnë për të ndërtuar të gjithë diapazonin e sistemit dhe të shërbimeve që do jepen për emigrantët.
Thirrja ime, për qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë është: vëmendje, iniciativë dhe ndihmë për të bërë ç‘është e mundur që këtë proces ta çojmë deri në fund me sukses.
Ajo që kërkohet sot nga shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë është të regjistrohen.
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kërkohet prej tyre që të japin informacionin e tyre kur të kontaktohen nga strukturat shtetërore.
Barra për të përfunduar këtë sistem dhe për të garantuar shërbimet mbetet e jona.
Kjo është e vetmja mënyrë dhe e vetmja rrugë për të garantuar dhe për t’u kthyer mbrapsht emigrantëve borxhin që u ka shoqëria dhe shteti shqiptar në 25 vjet.
Faleminderit!