Ministrja Mirela Kumbaro përmes një komunikimi sot nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, informoi mbi masat e marra në ditët e fundit ndaj keqmenaxhimit të mbetjeve dhe ndotjes.
“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është çdo ditë në terren për të kontrolluar dhe monitoruar situatën e mbetjeve, me inspektorët e saj ka konstatuar serish në territore të ndryshme të Shqipërisë hedhje të mbeturinave të trashëguara ose të reja”, tha Kumbaro, teksa solli në vëmendje se e tillë ishte dita dje në Razëm, në bashkinë Malësi e Madhe, ku inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit konstatuan hedhje masive të mbetjeve të pambledhura e të pamenaxhuara nga kjo bashki.
Kumbaro u shpreh se ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, parashikon një gjobë të konsiderueshme, drejtpërdrejt për titullarin e bashkisë.
“Është e para herë që aplikohet gjoba ndaj një kryetari bashkie, siç ligji e parashikon, por s’do të jetë e fundit për aq kohë sa vazhdon neglizhenca dhe nuk e kuptojmë trajtimin me prioritet absolut të mjedisit”, deklaroi ministrja. Kujtojmë se ditën e djeshme, kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marinaj u gjobit me 5 milionë lekë të vjetra.
“Të zgjedhurit kanë detyrë parësore të marrin përgjegjësitë edhe të punëve që nuk janë bërë më përpara nesh dhe të punëve që bëhen sot”, tha Kumbaro.
Mirela Kumbaro foli edhe për punën e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit që nuk toleroi ndotjen e shkaktuar nga Banker Petrolium gjatë zhvillimit të aktivitetit të kompanisë.