Nga Adriatik Doçi*
Sali Berisha dhe Lulzim Basha po akuzojnë njëri-tjetrin këto ditë për krijimin e grupeve me vrasës, trafikantë droge dhe njerëz me rekorde të zeza, me qëllim për të kontrolluar selinë e Partisë Demokratike. Nisur nga akuzat, faktet në të kaluarën, rrethanat, ngjarjet e rënda dhe precedentët, akuzat e Lulzim Bashës ndaj Sali Berishës për krijim të grupeve me të inkriminuar ka gjasa që të jenë më pranë të vërtetës.
Për krimin është dënuar në mungesë në nëntor 2012, Ilir Kumbaro, një nga oficerët e SHIK-ut, me 15 vite burg. Berisha akuzohet se ka pajisur Kumbaron me pasaportë false dhe e ka ndihmuar të arratisej. Kumbaro ende nuk është kapur. Prokuroria akuzoi edhe Arben Sefgjinin, ish-zëvendësdrejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë dhe Avdi Koldashin, ish-shefi i bazës nr. 10 të vëzhgimit në SHIK, si dhe shikasin Budjon Meçe. I gjithë grupi ishte nën komandën e Bashkim Gazidedes, ushtarit të Berishës. Sefgjini dhe Koldashi u shpallën të pafajshëm nga Apeli, ndërsa për Meçen u pretendua se ishte në gjendje koma. Berisha e emëroi Arben Sefgjinin drejtori të Përgjithshëm të Tatimeve, madje këtë detyrë e ka mbajtur edhe kur ishte në arrest shtëpie!
Vrasja e Ilir Konushevcit, majorit të UÇK
Sali Berisha kishte shpallur UÇK organizatë terroriste, marksiste, enveriste etj., akuza që personin me akuzat e Millosheviçit. Berisha përndiqet udhëheqësit e UÇK-së këmba-këmbas në Shqipëri. Në 9 Maj të vitit 1998, vritet një nga njerëzit kryesor të UÇK-së, majori Ilir Konushevci, i cili furnizonte me armë UÇK-në nga Shqipëria. Kamionin me armë po e drejtonte mjeku Hazir Mala. Kamioni ishte nisur përmes aksit të vështirë Qafë Mali-Fierzë-Bajram Curri. Ata bien në pritë armësh në vendin e quajtur Poravë. Vrasja e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malës ishte një goditje e rëndë për UÇK-në. Ilir Konushevci ishte edhe një nga miq më të besuar të familjes Haklaj, tmerri më i madhe i Sali Berishës mbi tokë.
Motra e Haklajve, Zylfije Haklaj ka akuzuar si organizator të vrasjes Bilsim Demirin.
“Lidhjen arriti ta bëjë vetë Fatmir Haklaj që kishte mbërritur në vendngjarje. Për të nuk kishte dyshim se Demiri ishte organizatori. Ky i fundit do të ishte vetë viktimë e hakmarrjes. Në 28 Gusht të vitit 1998 ai do të ekzekutohej në Bajram Curri”, ka pohuar motra e Haklajve.
Haklajt kanë akuzuar si pjesë të grupit edhe Agim Demirin, vëllai i Bilsim Demirit, si dhe Albert Lumnica, Isa Kërnaja dhe Shkëlzen Kurbala. Haklajt kishin bindjen se grupi i vrasësve kishin lidhje me Sali Berishën, si cili punonte ditë e natë kundër UÇK, në mbështetje të Rugovës dhe Bukoshit, i cili kishte një ushtri në ‘mërgim’. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se pse Fatmir Haklaj kishte rrezuar zyrën e Berishës në 12 shtator 1998, por që para i doli Azem Hajdari, i cili dyshohet se është shtyrë nga Sali Berisha.
Vrasjet e 21 Janarit
Ish komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe ish gardisti Agim Llupo janë gjetur fajtor nga gjykata për vrasjen e tre nga katër protestuesit e 21 Janarit 2011, poshtë zyrës së Sali Berishës. Ky i fundit, pas shumë alibish, ka pranuar vrasjet nga garda, ndërsa mburrej se kishte në plan të vriste edhe vetë kryetarin e opozitës, Edi Ramën, me snajper.
“I thashë diplomatit të huaj se po të lëvizte edhe një gjethe në territorin e kryeministrisë ai (Rama) do ta kishte në lule të ballit nga 5 snajperë”, pohoi Sali Berisha.
Ndrea Prendi ishte i besuari i Sali Berishës. Ky i fundit i shpërbleu vrasësit me para publike pas krimit dhe refuzoi t’i dorëzonte në Prokurori me pretendimin se arrestimi i tyre ishte plan B i puçit imagjinar dhe se urdhër-arrestet kishin gabime drejtshkrimore. Më pas Sali Berisha lëvizi çdo gur që dënimi të i tyre të ishte qesharak, siç edhe rezultoi, pasi u dënuan për vrasje nga pakujdesia. Gjyqtarët që morën pjesë në këtë fasë i ‘përlau’ Vetingu si të korruptuar.
Vrasja e Ylli Haklajt
Në 3 dhjetor të vitit 2000, familja Haklaj do të merrte një tjetër goditje të rëndë dhe që ishte një mesazh i qartë i planit për t’i asgjësuar totalisht. Vritet me snajper nga një kodër përballë Ylli Haklaj, i cili dalë i shkujdesur në këtë livadh pranë rrethimit të kullës. Më parë ishin vrarë edhe tre vëllezërit e Yllit, Shkëlqimi, Halili dhe Fatmiri, tmerri i tmerreve për Sali Berishën. Motra e Yllit, Zylfije Haklaj akuzon Sali Berishën. Zylfije Haklaj ka shprehur bindjen se kryesori në grupin e vrasësve ishte Përparim Hyka.
“Ka qenë Përparim Hyka, kanë qenë edhe njerëz tjerë të organizuar nga PD-ja gjoja sikur po merrnin hakun e protestuesit nga akuza e Sali Berishës, gjoja e vrau Ylli Haklaj”, ka pohuar Zylfije Haklaj.
Dyshimet për Rasim Lumneshin
Më 2 prill 2002, Rasim Lumneshi, mik personal i Sali Berishës, mbështetës i zjarrtë dhe sponsor i PD-së, u vra në mes të Tropojës. Haklajt kishin dyshime të forta se Rasim Lumneshi kishte gisht në disa atentate ndaj tyre, përfshirë edhe ndaj vëllait të vogël, Yllit. Ata dyshonin se Lumneshi, pasi ishte bashkuar me kundërshtarët e tyre dhe me Berishën, kishte sponsorizuar atentatet ndaj tyre. Për vrasjen e Rasim Lumneshit është dënuar Zylfije Haklaj, e njohur si ‘Shota e Haklajve’. Zylfije Haklaj, në disa intervista as nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka pohuar krimin e rëndë. Më herët, Lumneshi kishte kenë mik me Haklajt, por ndërhyrja e politikës dhe Sali Berishës, besohet se solli grindjen. Rasim Lumneshi, është vëllai i Luftar Lumneshit, i cili akuzohet se sot nga Lulzim Basha si personazh me të shkuar të errët, i rreshtuar në krah të Berishës, madje edhe të tentativave të Berishës, për të marrë me forcë selinë e PD-së.
Eliminimi i Kosta Trebickës, dëshmitari kyç i Gërdecit
Me 12 shtator 2008, u gjet i vdekur në rrethana misterioze, në një fushë mbi Voskopojë, Kosta Trebicka, dëshmitari kyç i Gërdecit. Më herët, Kosta Trebicka kishte kërcënuar hapur Shkëlzen Berishën, të cilin e Sali Berishës, se do fliste për të vërtetën e biznesit të vdekjes në Gërdec. Trebicka ishte gjithashtu një rrezik potencial për të fundosur me dëshmi Fatmir Mediun, Sali Berishën dhe të birin, të akuzuar me fakte si protagonistë të Gërdecit. Pak pasi Trebicka humbi jetën, pranë tij u shfaq Argon Kuliçaj, një personazh i errët dhe i akuzuar nga ambasada amerikane për lidhje me krimin. Kuliçaj, ishte ish-truproja dhe i besuari i Berishës, i cili i kishte besuar postin e nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, por që në fakt ishte edhe shefi i drejtorit. Sipas drejtësisë, Kosta Trebicka humbi jetën në aksident, një version që sot e kësaj dite pakkush e beson.
Zhdukja e Eduard Belegut
Në 22 mars të vitit 2010 u zhduk Eduard Belegu, këshilltari i ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti. Eduart Belegu u zhduk nga tre persona të paidentifikuar, në momentin kur sapo kishte marrë 8 topa me dollarë. Në 11 mars të vitit 2019 Gjykata e Tiranës ka vendosur të shpallë të vdekur Eduart Belegun. Drejtësia shqiptare, 12 vjet më pas, nuk ka asnjë version për fatin e Belegut, i cili ishte dëshmitar i disa aferave të zeza në Ministrinë e Ekonomisë dhe sidomos të trafikut të naftës virgine.
Dritan Prifti ngriti dyshime pikërisht për Agron Kuliçin dhe Ilir Metën.
“Agron Kuliçi është një person për të cilin unë dyshoj për shumë mëkate disa prej të cilave ia kam thënë Berishës me kohë. Kurse këshilltari im Eduard Belegu është arrestuar me bujë pa shkak të përligjur dhe për të më kërcënuar mua si ministër. Belegu është zhdukur dhe Agron Kuliçi duhet të thotë ku është Belegu. Mua më vjen shumë keq që drejtësia nuk ka vepruar, por edhe media ka dhënë një kontribut shumë të vogël për këtë. Edhe në videon e shfaqur Meta e përmend Belgun. Ai kishte kohë që më kërkonte largimin e Belgu. Belegu po përgatitej të denonconte Policinë dhe Prokurorinë për arrestimin e tij të kotë, dhe papritur u zhduk. Emri i Kuliçajt më del në kontrabandën mafioze të naftës Virxhin, por edhe në disa veprime mafioze të tjera”, ka deklaruar Dritan Prifti në atë kohë.
Ambasada Amerikane e ka akuzuar Agron Kuliçajn për lidhje me Dritan Dajtin.
“Jo vetëm që praktikat korruptive të Kuliçajt janë shumë të njohura, ose ka fjalë se ai mund të jetë i implikuar në shpartallimin e policisë gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në gusht. Dajti kishte marrë një spiunim nga brenda, dhe disa oficerë policie humbën jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit”, thuhet në një kabllogram drejtuar DASH.
Nuk ka të dhëna që Kuliçaj të jetë hetuar apo akuzuar nga prokuroria për këto akuza dhe rrethana të dyshimta.
Vite më vonë, Agron Kuliçajn u shfaq duke darkuar me Arben Frrokun, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lama. Në të njëjtën tavolinë ishin duke darkuar me Tonin Vocaj, Met Rrumbullakun dhe Nikolin Bala.
Agron Kuliçaj, ndoshta jo rastësisht, është sot pjesë e grupit të Sali Berishës për pushtimin e selisë së PD-së. (Shqiptarja.com)