Nga Plator Nesturi
Ish-lideri i demokratëve Sali Berisha përfundimisht u largua nga Partia Demokratike nga “pinjolli politik” Lulzim Basha. A është fundi i Berishës në PD, apo do vijojë luftën me Bashën dhe faktorin ndërkombëtar?
Nuk mendoj se halli më i madh i opinionit publik apo qoftë edhe e anëtarësisë në PD është se cili do të jetë fati apo si do ia bëjë më tej Berisha. Qoftë ky edhe Basha. Ajo që ngre shqetësim është fati i PD-së dhe boshllëkut politik që krijohet nga shpërbërja e partisë më të madhe të opozitës. Dhe kjo vetvrasje politike që po ndodh në opozitë ka si protagonistë kryesorë të dy këta personazhe. Madje jo rastësisht tentohet që gjithë diskursi i përplasjes që po ndodh brenda PD-së të kanalizohet si përplasje e thjeshtë midis Berishës dhe Bashës. Në këtë aspekt të dy janë solidarë që të mbeten si të vetmit lojtarë në fushë dhe si dy protagonistët e vetëm. Kjo ndodh kur PD-së i duhen protagonistë të rinjë, imazhe të reja që frymëzojnë dhe që mund të marrin përgjegjësinë jo vetëm të shpëtojnë partinë nga ndarja, por dhe që ta shndërrojnë PD-në në një forcë moderne politike për të konkuruar me sukses në zgjedhje. Në fakt që të dy, si Berisha edhe Basha përkujdesen që të ngelen të vetmit në fushë e të tjerët të jenë thjesht ushtarët e tyre. Dhe kjo ka ndodhur prej vitesh, aq sa sot është e vështirë që në PD të gjesh përfaqësues të tjerë me stofin e liderit. Berisha i preu gjithë pemët në PD, që të mundësonte rritjen e fidanit Basha, për të cilin u përkujdes me pekule si trashëgimtar i tij, e më tej vetë Basha kositi gjithë barin në PD me frikën e mos rritej një lider tjetër që mund ta konkuronte. Të dy ishin qënie simbiotike që nuk mund të ekzistonin pa njëri-tjetrin dhe tashmë kur përplasja është evidente, kjo do të sjellë dhe vetasgjësimin politik të njëri-tjetrit. E keqja është se në këtë vetasgjësim po tërheqin me vete të gjithë PD-në, pasi nuk po shihen faktorë të tjerë që mund të ndalojnë rënien në greminë të një force politike që ka dominuar politikën shqiptare në 31 vite.
Më 8 Janar a mund të themi se u shkrua ndarja e PD-së? A do të krijojë Berisha një parti të re?
Më 8 janar PD u shqye. Fjala ndarë është e butë. Një parti mund të ndahet kur mbaron misionin e vet për të mbajtur të bashkuar interesat e të gjithë anëtarësisë së vet, apo mund të ndahet për çështje ideologjike dhe në këtë kontekst pjesa që nuk e gjen veten në këtë linjë mund të formojë një forcë të re politike. Asnjë nga këto nuk ndodhi. PD u shqye pasi i tillë ishte procesi në aktin e fundit të saj. U shqyen dyer e ishin gati të shqyenin edhe koka. Kur çështja vete deri këtu, pra tek gjaku, atëherë çdo gjë që e mbante të njësuar më parë si parti është shpërbërë. Pasi partinë e përbëjnë njerëzit dhe jo ndërtesa, as vula dhe as sigla. Nga ky moment rruga është e ndarë dhe gjithsecili është në hesap të tij. Kush nuk e shikon këtë gënjen veten. Realiteti duhet të na mësojë që në analizat e mëtejshme ti shohim si dy pjesë që nuk mund ti lidhë më asgjë me njëri tjetrin. Pak rëndësi ka se kush e trashëgon vulën në gjykatë, pasi PD-ja nuk do të jetë më ajo çfarë ka qenë dhe çfarë ka përfaqësuar. E vetmja gjë që kanë për të ndarë tani është se sa deputetë do të ketë njëra dhe sa tjetra. Parlamenti mund të fitojë një parti të re parlamentare por PD-ja ka humbur gravitetin e vet politik.
Për herë të parë Berisha shkoi në Prokurori, pikërisht për të “vetët” për dhunën ndaj godinës dhe ndaj demokratëve brenda selisë. A do i shpëtojë kësaj here Berisha ligjit?
Selia e PD-së është shndërruar në skenë krimi dhe kjo është pjesa më tragjike e ndarjes së një partie. Si e tillë është e natyrshme që në prokurori të merren në pyetje të gjithë inspiruesit e dhunës që iu dhanë shqiptarëve një shfaqje aq të shëmtuar. E veçanta është që janë thirrur në prokurori të dyja palët dhe kjo besoj jo pa motiv. Element të eksesit u panë nga të dyja palët pasi gjithshka ishte si një plan lufte. Është qesharake të justifikohesh sot se protesta kish qëllim që demokratët të shkonin në shtëpin e tyre të uzurpuar. Të gjithë e dinin se ata nuk po shkonin për të hyrë në PD, por për të nxjerrë me forcë prej andej Bashën me të tijtë. Dhe këtë nuk mendohej se so ta bënin me kortezi. Po ashtu ishin qesharake dhe deklaratat se blindimi i dyerve bëhej për dekorin e sallës.
Edi Rama ftoi për një bashkëbisedim demokratët që mbetën në “ajër”. A është kjo ironi e tij apo …?
Unë e pashë si një vajtje për ngushëllim me rastin e vdekjes së PD-së. Në fakt ajo çfarë u pa në 8 janar ishte një shfaqje e turpshme se deri ku mund të shkojë cinizmi duke përdorur ndërsimin e mbështetsve për hir të interesave personale. Dhe kjo ishte një vetvrasje politike e PD-së që si rrjedhojë solli dhe veteliminimin e të dy figurave që ishin protagonistë në këto ngjarje. Si Basha dhe Berisha nuk mund të jenë më përfaqësues të demokratëve kur ishin përgjegjës, kush më shumë dhe kush më pak, në përplasjen midis tyre. Rama këtë e ka të qartë ndaj dhe i cilësoi si kufoma politike. Pas kësaj nuk ka ende një figurë që të jetë përballë kryeministrit si përfaqësues i vërtetë i opozitës. Si Basha dhe për më tepër Berisha bënë hara-kiri dhe duhet një process i vështirë që të zëvendësohen nga skena. Gjithësesi këtë e kanë në dorë demokratët nëse duan që dëmi që iu bë partisë së tyre të kalojë me sa më pak humbje.
Në këtë situatë Ramës i nevojitet një PD e përçarë që të zgjasë në kohë konflikti mes tyre, apo i nevojitet opozita “pa konflikte” dhe institucionale për koperturë?
Për çfarë arsye duhet të vrasim mendjen se çfarë i intereson Ramës se si duhet të jetë fati i PD-së. Gjykoj se kjo më së tepërmi i intereson vendit dhe masës së elektoratit opozitar që shohin se forca politike që i ka përfaqësuar deri më tani është e shpartalluar dhe peshën që kish. Pas kësaj që ndodhi opozita duhet të hyjë në një process të gjatë të riorganizimit të saj e këtë duhet ta bëjë jo për hir apo inat të Ramës, por por të përfaqësuar atë masë të elektoratit që tashmë ngelet e pamotivuar nga këto zhvillime që ndodhën në PD. Për këtë duhet kohë dhe frymëzim. Se kush mund të jetë ai që mund ti frymëzojë këtë është herët të thuhet. Pra nëse do të jetë një PD e ringritur nga hiri i vet apo një realitet i ri politik kjo ende nuk dihet. Ajo që dihet ama, është që opozitës i duhet një imazh i ri dhe një qasje e re jo vetëm për të shëndoshur jetën e saj të brendshme dhe institucionin e votës, por dhe në besueshmërinë që duhet të krijojë në elektorat./ fjala.al