Doktor Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare, në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se “Omicron do të jetë dominues edhe në vendin tonë”, ndërkohë që shtoi se është rritur numri i thirrjeve nga qytetarët dhe vizitave në banesë.
Gjithsesi, sipas tij, “nuk ka krahasim me vitin e kaluar”.
“Vjet ishim deri në 12 000 telefonata në 24 orë, ndërsa sot jemi te 2000 thirrje në 24 orë. Kjo është mëse e përballueshme. Aktualisht, mendoj se në Shqipëri është dominues Delta”, nënvizoi Brataj.
Më tej, ai vuri në dukje se “personi që nuk është vaksinuar rrezikon njësoj si ditën e parë që ka dalë Sars-Cov2” dhe tregoi se kur pritet të jetë kulmi i Omicronit në Shqipëri.
“Mbrojtja është e domosdoshme. Nuk është thënë ndonjëherë që po u vaksinove, nuk infektohesh. Vaksinat, sipas llojit, kanë një përqindje efikasiteti që nuk i kalon 95%. Ai 5% mund të kapë këdo dhe mund të humbasë jetën. Efikasiteti i vaksinave ndaj Omicron është deri në 88%. Kulmin e Omicronit do ta shikojmë në dy javët e ardhshme, fundi i janarit më saktë”, u shpreh Brataj./m.j