Omicron ka shënuar një bum rastesh të reja me COVID në Shqipëri. Të prekura nga kjo valë e re janë shumë vende, të cilat për t’i bërë ballë kanë shtrënguar masat anti-COVID.
Por 10 ditëshi i ardhshëm do të jetë vendimtar thonë ekspertët. Brenda 10 ditëve të ardhshme, shkencëtarët në Greqi thonë se do të presin të shohin reduktim të infeksioneve të reja që po regjistrohen. Nëse rënia e rasteve vazhdon, atëherë ata do ta dinë se vala tashmë ka arritur kulmin, në të kundërt do të presin edhe dy javë për kulmin e valës epidemike të shkaktuar nga varianti i ri.
Në këtë fazë, ata theksojnë se është shumë herët për të bërë ndonjë vlerësim të sigurt për valën epidemike që ka shkaktuar mutacioni Omicron.
Ditët e fundit në vendin tonë shifrat ditore të infeksioneve nga COVID në vendin tonë vijojnë të mbeten në trende të larta. Nga 6757 testime të kryera në total dje janë raportuar pozitivë 1905 persona. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar gjashtë humbje jete, konkretisht një qytetar nga Lushnja 60 vjeç, një qytetar nga Elbasani 72 vjeç, dy qytetarë nga Tepelena të moshave 74-81 vjeç, dy qytetarë nga Tirana të moshave 82-84 vjeç.
Janë 16,507 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin. Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 117 pacientë, nga të cilët 17 janë në gjendje më të rënduar.
/a.r