Kryedemokrati Lulzim Basha ka mohuar të ketë komunikim me kryeministrin Rama, sicc është akuzuar nga Berisha dhe mbështetësit e tij para, gjatë dhe pas protestës së 8 janarit.
Duke folur për gazetarin Juxhin Mustafaraj në ABC, Basha tha se ka komunikim vetëm me qytetarët dhe demokratët dhe se ata që ai i quan “Trekëndëshi i Bermudës” kanë komunikim të pandërprerë me njeri-tjetrin.
Zoti Basha, pse arriti Partia Demokratike në këtë pozitë që t’i krijojë një pozicion kaq komod kryeministrit Rama? Nga njëra anë ju e konsideroni Sali Berishën si “tub oksigjeni” për qeverisjen e Edi Ramës, nga ana tjetër Sali Berisha ju akuzon ju se me Policinë e Edi Ramës po mbroni selinë e Partisë Demokratike. Ju në fakt keni ndonjë komunikim drejtpërdrejtë me kryeministrin?
Komunikimi im i vetëm është me qytetarët, është me demokratët. Komunikimi i trekëndëshit të Bermudës është i pandërprerë. Gjërat janë të ndara, duhet të kesh sytë e mbyllur, veshët e mbyllura dhe as dy pare mend në kokë, mos ta kuptosh.
Më herët, Lulzim Basha njoftoi në intervistën e dhënë për ABC se duke u nisur nga sjellja e mbështetësve të Berishës bën që PD të mos mjatfohet vetëm me pezullimin e tyre duke theksuar se për të, ata tashmë janë të përjashtuar.
Zoti Basha keni lënë një dritë le të themi portokalli për 19 funksionarët të Partisë Demokratike. Pse një pjesë e atij që quhet Komisioni i Rithemelimit janë parë me sy të mirë nga ju apo iu është dhënë drita jeshile ndërkohë për 9 funksionarë të tjerë përfshirë edhe Sali Berishën u mor vendimi që të përjashtohen përjetësisht nga Partia Demokratike?
Nuk ka dritë jeshile për asnjërin. Të gjithë janë përjashtuar nga Partia Demokratike. Të pezulluarit kanë një mundësi të distancohen nga dhuna dhe distancimi i tyre nga dhuna do të vlerësohet nga institucionet e partisë. Mosdistancimi i tyre deri në këtë moment flet qartë për fajin e tyre./m.j