Nga Adriatik Doçi
Tre goditje të ndërlidhura me njëra-tjetrën kanë shënjuar fundin e palavdishëm politik të Sali Berishës dhe berishizimit në Shqipëri. Tre goditjet lidhen me datat 19 maj 2021, 9 shtator 2021 dhe 11 janar 2022. Në 19 maj 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit, shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij non grata për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë në Shqipëri. Goditja ishte e befasishme, fatale politikisht dhe me pasoja të kthyeshme, ndonëse Berisha ndërtoi me shpejtësi një alibi me Soros, komplote, lojë kufijsh etj.
Në 9 shtator 2021, Lulzim Basha u distancuar nga Sali Berisha, duke e pezulluar nga grupi parlamentar demokrat. Ky vendim solli lëvizjen e Foltores, Kuvendin paralel, statutin paralele dhe strukturuat paralel, referendumin për shkarkimin e Bashës dhe përplasjen e dhunshme të 8 janarit. Mëngjesin e sotëm (11 janar 2022), Kryesia e Partisë Demokratike vendosi të përjashtojë përgjithmonë Sali Berishën si anëtar i PD-së dhe grupin e tij. Vendimi e vendos Sali Berishën në pozita paligjshmërie nëse futet në oborrin e Partisë Demokratike.
Mes tre lëvizjeve që ndanë Partinë Demokratike nga Sali Berisha, ka një vizitë të rëndësishme vendimtare për fundin politik të Sali Berishës dhe berishizimit. Bëhet fjalë për vizitën e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë, Philip Reeker, në 30 qershor 2021, në zyrën e Lulzim Bashës. Deri ditën kur zyrtari i lartë amerikan u paraqit në zyrën e tij me një dosje në dorë, Lulzim Basha nuk kishte dhënë asnjë shenjë lëkundje për të lëshuar ‘babain politik’ Sali Berishën.
Madje, Lulzim Basha kishte mbështetur alibinë e Berishës për paraqitjen e provave, mbi të cilat mbështetej vendimi i DASH, një manovër kjo për t’u mos u larguar nga Partia Demokratike. “Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”, u shpreh Basha në 19 maj 2021.
Lulzim Basha nisi të lëkundej në raport me Berishën pas takimit me Philip Reeker, në 30 qershor 2021, në zyrën e tij. Të pranishëm në takim ishin edhe Jorida Tabaku dhe Gazmend Bardhi. Siç edhe u konfirmuar më pas, në këtë takim, Philip Reeker i ka kërkuar Lulzim Bashës në mënyrë ultimative përjashtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike, duke i zbuluar detaje nga dosja e Berishës.
Pas takimit, Partia Demokratike nuk tha asgjë. Por, ishte Ambasada Amerikane ajo që, përmes një deklarate, zbardhi takimin. Deklarata e Ambasadës nuk lë shumë vend për dyshime: çështja e Berishës ka qenë kryefjala e takimit. “Ai (Philip Reeker) nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e SHBA.
Presioni ndaj Lulzim Bashës ka vijuar sa në prapaskenë, aq edhe publikisht. Në kuadër të divizës së Philip Reeker, në 31 korrik 2021, ambasadorja amerikane Yuri Kim, zhvilloi një vizitë në zyrën e Lulzim Bashës, ku i kujtoi edhe një herë ultimatumin për t’u ndarë nga Berisha. “Do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu. Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara”, tha Kim, deklaratë e cila tërboi Berishën.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, i la afat Lulzim Bashës për të ndarë PD-në nga Berisha dhe berishizimi deri në 10 shtator 2021, ndërsa kërkoi që Sali Berisha të përjashtohej edhe nga Parlamenti. Mbrëmjen e 9 shtatorit Lulzim Basha, në kulmin e trysnisë amerikane, u distancua nga Sali Berisha. Tre-katër deputetëve të parë që iu hodhën në fyt, Basha u kujtoi detajet nga dosja e shpalljes non grata të Sali Berishës, detaje me të cilat e kishte njohur pikërisht Philip Reeker.
Lulzim Basha tha më pas se këto detaje ishin tronditëse dhe që deputetët nuk do t’i merrnin vesh kurrë. Vendimi i sotëm, për të përjashtuar Sali Berishën përgjithmonë nga PD-ja është rrjedhojë sa e vizitës së Philip Reeker në 30 qershor 2021 aq edhe e mënyrës se si Sali Berisha reagoi pas pezullimit në 9 shtator 2021.