Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Bullgari i thirrur nga presidenti Rumen Radev. Në konferencën për media Radev tha se integrimi evropian i Shkupit ka ngecur por në mënyrë që ky proces të zhbllokohet Maqedonia duhet të përmbush disa kritere. Ai tha se procesi nuk duhet të kushtëzohet me afate, por me përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë.
Radev megjithatë tha se në disa sfera progresi është i mundur, gjë që do të ndihmonte në kthimin e besimit dhe gjetjen e zgjidhjes përfundimtare. Radev tha se Sofja pajtohet që Tirana të nisë negociatat me Bashkimin Evropian, pavarsisht nga zhvillimet në Maqedoninë e Veriut.
“Rëndësi të veçantë kanë projektet që sigurojnë lidhje infrastrukturore, transporti, lidhje energjetike dhe digjitale, me theks të veçantë Korridori 8. Një gjë e tillë do të ndihmonte në shmangien e ngërçit mes të dyja shteteve, dhe do të nxiste procesin e negociatave. Zgjidhja e çështjeve të hapura politike do ta përmirësojë progresin në të gjitha këto sfera”, tha Radev.
Në mbledhjen e Këshillit siç deklaroi Radev janë dhënë rekomandimet si:
- Gjatë vendosjes së politikës së brendshme, Këshilli Ministror të mbajë llogari për pozitën kombëtare të Bullgarisë, duke respektuar kërkesat e Marrëveshjes së vitit 2017, Kornizën nga viti 2019 dhe Deklaratën e 44-të të Kuvendit Kombëtar.
- Dhënia e pëlqimit për fillim të negociatave qasëse të Maqedonisë së Veriut në BE nuk duhet të lidhet për afate, por me rezultate reale, veçanërisht në raport me bullgarët e Maqedonisë.
- Pushteti ekzekutiv të vazhdojë të angazhohet për njoftimin për realizimin e Marrëveshjes nga viti 2017 në procesin negociues për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.
- Pushteti ekzekutiv të përgatisë dhe sigurojë plan aksionar për masa për arritjen e një përparimi të dukshëm në të gjitha fushat në raportet bilaterale.
- Pushteti ekzekutiv t’u propozojë partnerëve të RMV-së formimin e grupeve të punës në fushat në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2017.
- Pushtetet ekzekutive të ndërmarrin masa për përshpejtim të ndërtimit të Korridorit 8 bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – si projekt i vetëm për autostradat, hekurudhat, lidhjet energjetike dhe digjitale.
- Kuvendi kombëtar duhet t’i propozojë trupit ligjvënës të Maqedonisë së Veriut vendosjen e dialogut të strukturuar ndërmjet grupeve për miqësi dhe komisione parlamentare, me të cilat do të përforcohej besimi dhe do të mbështetej procesi gjithëpërfshirës.
/b.h