Nga Pëllumb Karameta
Gjatë punës si studiues i arsimit kam kuptuar se shkolla duhet të jetë vendi ku fëmijët shkojnë të nxënë si të formojnë dhe përdorin praktikisht mendjet dhe kapacitetet e tyre; ndryshe, njohuritë e reja dhe kompetenca që ndërtojnë dhe përdorin. Prandaj, nuk shoh ndonjë mënyrë tjetër për të promovuar çka lypset, veçse të them me sinqeritet bindjet e mia.
Idetë referuese për atë që mësohet në shkolla (përmbajtjet mësimore) dhe për mënyrën se si ajo shtjellohet (nxënia), nënkuptojnë përgjegjësi të reja, sa kohë që diskutohet për përmirësimin e cilësisë. Ndonëse reforma kurrikulare, në përgjithësi, po përvijohet mirë, fakte dhe të dhëna artikulojnë sfidën që duhet përballuar në aspektet njohës, kurrikular, psikologjikë dhe didaktikë të qasjes kurrikulare.
Në sistemet arsimore tradicionale, kurrikula bazohej te lënda (ekuacionet, llogaritje mendore, rregullat e sintaksës, zgjedhimi i foljes, datat e ngjarjeve historike etj.) dhe mësuesi që e transmetonte atë. Sot, pa asnjë mëdyshje, ky koncept konsiderohet i tejkaluar. Nxënia nuk identifikohet më me përvetësimin e përmbajtjeve lëndore nga nxënësit. Përkundrazi, në themelin e qasjes së re qëndron ndërtimi dhe përdorimi i njohurive të reja dhe kompetencave; ndryshe, aftësimi i nxënësve dhe studentëve që të dinë, të dinë të bëjnë si duhet dhe të shpjegojnë përse e bëjnë ashtu. Nëse qasja e mëparshme synonte dhe ndihmonte memorizimin e saktë të lëndës, nëpërmjet aktivizimit dhe përsosjes së kujtesës, qasja e re synon diçka thelbësisht të ndryshme. Ajo krijon kushte dhe mundësi që nxënësi, me ndihmën e mësuesit, të trajtojë situatat e ofruara nga përmbajtjet mësimore të përditësuara. Me këtë lloj të ri të nxëni, subjekti nxit, aktivizon dhe zhvillon hap pas hapi elementet psikiko – fizikë, me theks të menduarin aktiv, kritik dhe krijues. Ai është interesant për nxënësit, pasi kthen jetën në shkollë. Pedagogu francez S. Friné (Célestin Freinet), një nga ideatorët e kësaj qasjeje, në fillimin e shekullit të shkuar, instaloi një shtypshkronjë në shkollën e tij, që nxënësit të prodhonin gazetën e tyre. Këta të fundit, që t’i shkruanin bukur e me korrektesë artikujt (qëllimi), duhej të mësonin rregullat e gramatikës (mjeti), jo e kundërta. Pasi pedagogu krijoi situatat që motivonin nxënien e shkrimit, papritmas, edhe rregullat e gramatikës filluan të kuptohen më mirë nga nxënësit. Friné, intuitivisht, si të gjithë mësuesit e mirë, kuptoi se nxënësit nuk mund të perceptonin atë që nuk kishte kuptim për ta. Ai u nis nga supozimi se në jetën e përditshme, një person, kur nuk e detyrojnë, nuk kryen një veprim që nuk ia di kuptimin. Atëherë, pse në shkolla i detyrojmë nxënësit të mësojnë përmbajtje konvencionale të cilave, përgjithësisht, nuk u a kuptojnë domethëniet?
Nga kjo përvojë (dhe qindra të tjera) vjen mençuria se në shkollë, më shumë se rolet që lozin mësuesi dhe nxënësit, vlen procesi i të nxënit, prej nga varet vetë suksesi i shkollimit. Koncepti bashkëkohor për këtë proces vlerëson rolin aktiv të nxënësit në formimin e personalitetit të tij. Të nxënit, tashmë, përfshin ndërtimin dhe gjenerimin e dijes dhe të njohurive, jo depozitimin e tyre në kujtesën e nxënësve; shndërrimin e dijeve të reja në njohuri të reja nëpërmjet nxënies, përdorimit dhe kërkimit real; zhvillimin e mënyrave të larmishme me të cilat krijohet dhe komunikohet konceptet dhe idetë në botën e sotme (fjala e shkruar ose pamja vizuale, grafika, tingujt, informacion elektronik ose mediatik); lidhjet, ndërveprimet, marrëdhëniet mes sistemeve të ndryshme të dijes dhe mënyrave të ndryshme të paraqitjes së tyre. Vetëm kështu, njohuritë, aftësitë, vlerat dhe qëndrimet do të organizohen në struktura mendore vetjake të cilat mundësojnë përdorimin dhe përsosjen e përhershme të tyre.
Nga ana tjetër (dhe që nuk po kuptohet), nxënia bashkëkohore u ofron nxënësve situata mësimore që ata, përmes veprimeve të mund të aktivizojnë dhe përsosin kapacitetet psikiko – fizike që zotërojnë, me të cilët ndërtojnë njohuri të reja / kompetenca dhe ndihmohen të reflektojnë për sa arrijnë. Njohja e potencialeve mendorë, emocionalë dhe fizikë të nxënësve të një grup moshe të caktuar, si dhe kuptimi i vlerave zhvilluese të situatave mësimore, janë kushte të nevojshëm për t’i ndihmuar ata të trajtojnë situata mësimore apo jetësore. Të nxënit, kësisoj, i përdor përmbajtjet mësimore jo si qëllim të mësimdhënies, por si mjete me valencë të dyfishtë: Nëpërmjet tyre, nxënësi përdor dhe zhvillon kapacitetet mendore dhe fizike të nevojshme për jetën në demokraci; njëherazi, përvetëson dhe i përdor ato, kur t’i duhen në situata mësimore apo jetësore.
Komentet e mësipërme mund të lehtësojnë përballjen me sfidën kurrikulare. Për këtë, tashmë, do duhet të përditësojmë dhe zhvillojmë mjaft prej kuptimeve që shtjellohen në dokumentacionin kurrikular zyrtar (në kornizën kurrikulare, programet mësimore, udhëzuesit për mësuesit, tekstet shkollore, më së pari). Çka kërkon kuptimin e thelluar të këndvështrimit socio-konstruktivist për njohjen, të logjikës së ndërtimit të kompetencës, fokusimit te veprimtaria e nxënësit dhe të situatave formuese të nxënies – kuptime të reja këto të cilat duket e ka të vështirë t’i përthithë pjesa më e madhe e specialistëve, mësuesve dhe drejtuesve të shkollave.
Ky kontekst i ri kurrikular kërkon doemos reformimin e thellë dhe të shpejtë të programeve dhe kontributeve të disa institucioneve.
Së pari, të agjencive që ofrojnë programe për zhvillimin profesional të mësuesve. Ato, në pjesën më të madhe të tyre, vijojnë të artikulojnë ide dhe rekomandime didaktike të qasjes së shkuar. Kjo mund të lehtësohet, fillimisht, nga metodologjia dhe kriteret që përdor Komisioni i Akreditimit të Programeve / Moduleve të Trajnimit.
Më tej. Reformimi thelbësor i programeve dhe sylabuseve universitare në Fakultet e Mësuesisë; veçmas, të programeve të studimit “Master për mësuesi”. Për ilustrim, përmbajtja e moduleve që u ofrohen studentëve të mësuesisë, është tejet e vjetruar. Disa pedagogë, të “robëruar” nga teoritë e kalcifikuara të shekullit të shkuar, vijojnë të flasin siç flitej që moti dhe u referohen autorëve të shekullit të shkuar. Mjafton të shihen burimet e literaturës që u ofrohen studenteve, për të kuptuar shterpësinë e informacionit, jo vetëm në disiplinat psikologjike, por edhe në ato që lidhen me didaktikën dhe metodologjitë mësimore. Ja disa shembuj për ilustrim: “Psikologjia e zhvillimit të fëmijës” Karaj, Th. – Botim i vitit 2000; “Kurrikula bazat, parimet dhe problemet” Allan C. Orstein, Francis P. Hunkins – Botim i vitit 2003; “Manual i Pedagogjisë së përgjithshme” Frabboni, F; Pinto Minerva, F. – Botim i vitit 2003 etj. Për të mos thënë, pastaj, që, asgjë nga sa përshkruhet në tekstet universitare të botuara nga pedagogët, përpara vitit 2015, nuk i referohet gjëkundi ndryshimeve drastike kurrikulare që po realizohen në arsimin tonë parauniversitar. I kujtoj lexuesit se ligji me numër 80, i vitit 2015, “Për Arsimin e Lartë” ka një kapitull të posaçëm për sigurimin e brendshëm të cilësisë nga njësia përkatëse. Sipas ligjit, institucionet e arsimit të lartë janë përgjegjëse për sigurimin e brendshëm të cilësisë, për çka dhe funksionon kjo njësi. Ajo paguhet që të vlerësojë periodikisht rezultatet e veprimtarive mësimore dhe kërkimore-shkencore.
Kemi, gjithashtu, edhe një agjenci që kryen periodikisht vlerësime të jashtme të cilësisë në institucionet e AL-së. Ajo quhet “Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë” (ASCAL). Autonomia universitare – më së pari, komponenti akademik i saj – ka një raport të përcaktuar qartë me llogaridhënien. A janë ato të baraspeshuara? Shumë persona në Universitete, veç njësive përkatëse dhe ASCAL-it, paguhen për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.
Me po kaq interes dhe vlerë është reformimi i brendisë së procesit të certifikimit të mësuesve të rinj nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QShA).
Unë besoj se sa më sipër imponojnë kërkime në fushën e kurrikulës. Që të shkohet përtej asaj që e konsiderojmë të mirëqenë, për të eksploruar atë që nuk dimë akoma për natyrën e koncepteve dhe të ideve të reja; si ndodh të nxënit e tyre dhe si mund të informohen mësuesit / drejtuesit nga prurje të tilla për të siguruar nxënien efektive.
Në të kundërtën, të interesuarit e përfshirë do të vijojnë rezistencën. Nxënësit dhe studentët, stoikë në refuzimin e tyre për të menduar vetë, do t’i përmbahen me dëshpërim të drejtës për të mësuar, duke nxënë përmendësh. Një pjesë e madhe e mësuesve, specialistëve dhe pedagogëve, të pasigurt para materialeve të reja dhe sipas tyre “shumë të vështira”, nuk do të kuptojnë se problemi qëndron te mos kuptimi i risisë. Ata do vazhdojnë t’i drejtojnë energjitë dhe qëllimet e tyre të mira, duke e zhvilluar mësimin si t’u duket më e arsyeshme. Dhe rezultati do të vijojë të jetë gjithmonë i diskutueshëm.