Deputeti demokrat Tritan Shehu, mbështetës i Sali Berishës, ka hedhur sot akuza të rënda ndaj Lulzim Bashës, sa i përket fortifikimit që ky i fundit i bëri selisë së PD-së para 8 janarit. Për emisionin ‘Kontrast’, Shehu deklaroi se brenda zyrave të PD, Basha ruhej nga fundamentalistë të ardhur nga jashtë vendit, që sipas tij i përkasin ‘Vëllazërisë Myslimane’.
Ai shtoi se fakti që Policia e Shtetit nuk reagoi për denoncimet e Grupimit të Berishës, tregon lidhjen mes Ramës dhe Bashës. Shehu tha se sot Shqipëria nuk ka nevojë për një bashkëqeverisje, por për një opozitë të fortë.
“Përplasja në PD nuk është çështje individësh. E gjithë kjo përplasje që ka nisur ishte diçka e rritur dhe e pjekur prej kohësh. Po të mos ishte shkak shpërthimi që erdhi pas pezullimit të zotit Berisha, unë jam i bindur që do bëhej shkas diçka tjetër për të ndodhur. Por pjesëmarrja e z. Berisha në këtë proces i jep një tjetër seriozitet dhe jep shpresën për ta çuar gjer në fund. Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë, por jo për një bashkëqeverisje. Lidhja e ngushtë mes Ramës dhe Bashës u duk edhe të shtunën ku çdo gjë ishte e koordinuar me tyre. Ne e bëmë publike se Basha kishte futur në godinë njerëz të armatosur, nga grupe fundamentaliste të ardhur nga vende të tjera. Ata janë pjesë e “Muslim Brotherhood”. Pse nuk ndërhyri Policia t’i verifikonte? Si u hodh në atë godinë gjithë ai çelik nëpër dyer pa leje në Bashki? Një qytetari i shkon policia direkte sapo ndërron një derë pa leje” – tha Tritan Shehu për ‘Kontrast’ në Report TV.
/a.r