Zëvendëskryeministri kosovar Branimir Stojanoviç ka dënuar sot ashpër përdhosjen e tempullit ortodoks “Krishti Shpëtimtar” në qendër të Prishtinës, nga ana e, siç ka thënë, një grupi demonstruesish që erdhën në protestën e djeshme në kryeqendër, transmeton KosovaPress-i. Në deklaratën me shkrim, të cilën e publikoi agjencia beogradase Tanjug, Stojanoviç kërkon që sa më parë të ngrihet një gardh rreth kësaj kishe të papërfunduar.
“Urinimi në një tempull të shenjtë është sjellje e turpshme, joqytetëruese dhe vandale”, ka thënë Stojanoviç, duke shtuar se është e turpshme edhe ajo që policia qetësisht i ka shikuar demonstruesit duke hyrë në kishë.
Zëvendëskryeministri në deklaratën e tij ka thirrur ministrin e policisë së Kosovës që të ndërmarrë masa ndëshkuese kundër policëve të cilët me mosveprimin e tyre kanë mundësuar kryerjen e papenguar të veprës penale. “Vandalëve një herë duhet t’u pritet rruga”, ka përfunduar Stojanoviç.