Për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme kishte menduar një bashkëbisedim me studentë dhe diplomatë të rinj. Mes të ftuarve në këtë aktivitet ishte edhe i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, sir Stuart Peach.
“Dëshiroj që ta shikoj Ballkanin Perëndimor të qëndrueshëm jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por madje dhe për Evropën dhe të gjithë angazhohemi që t’ju ndihmojmë ju në udhëtimin tuaj euroatlantik”, tha Peach gjatë fjalës së tij.
Një ndër pyetjet që iu bë Peach ishte ajo për “Open Balkan” dhe deklaratat e Ramës se kjo nismë nuk pengon Procesin e Berlinit. I dërguari i posaçëm tha se Mbretëria e Bashkuar e mbështet nismën për aq kohë sa nuk krijon konkurrencë në rajon. Madje ai i sheh këto dy nisma si komplementare të njëra-tjetrës.
“Ne respektojmë qeverinë e Shqipërisë dhe sovranitetin. Këto janë iniciativa që do të jenë komplementare ndaj njëra-tjetrës dhe nuk duhen parë në garë mes atyre që kanë ekzistuar dhe këtyre të reja. Këto iniciativa janë përfshirëse për rajonin.
Duhet t’i përgëzojmë dhe t’i mbështesim me qëllim që gjithë rajoni të punojë së bashku për çështje që janë të reja dhe madje të vjetra që të mundohen të gjejnë zgjidhje. Ne me gjithë mend e mbështesim për aq kohë sa ato nuk krijon ndonjë konkurrencë”.
Peach tha se vlerëson rolin e Shqipërisë si forcë stabilizuese në rajon.
“E vlerësoj rolin e Shqipërisë si forcë stabilizuaese në rajon dhe si një ish kryetar i NATO e kuptoj profesionalizmin, dedikimin e forcave tuaja të armatosura. Kjo shkon përtej. Gjithë shoqëria juaj dhe ne duhet ta vazhdojmë këtë miqësi 100-vjeçare dhe ta përkthejmë në mundësi të shumta. Ne kemi nevojë për mendjet tuaja krijuese të reja dhe besoj do të gjejmë mënyra të tjera për t’i bashkuar të rinjtë e këtyre vendeve”.
Ndërkohë ministrja Xhaçka në një videomesazh tha se është mirënjohëse për mbështetjen e Britanisë në procesin e demokratizimit të Shqipërisë./m.j