Policia Rrugore e Tiranës, masa të shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Gjatë javës që lamë pas, si rezultat i shtimit të kontrolleve me radarë, dragera, dronë, patrulla në lëvizje me mjete të paloguara, si dhe falë edhe bashkëpunimit me qytetarët të cilët kanë denoncuar në 112 e në Komisariatin Dixhital, shkeljet e konstatuara, janë ndëshkuar dhe proceduar një numër i madh drejtuesish të automjeteve.
Si rezultat i kontrolleve gjatë javës që lamë pas, janë proceduar dhe arrestuar 28 drejtues mjetesh, nga të cilët 20 janë arrestuar në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi, 2 janë proceduar në gjendje të lirë për shkak se ishin të mitur, pasi janë kapur duke drejtuar mjetet pa leje drejtimi, 2 për kundërshtim të punonjësit të Policisë apo mosbindje ndaj urdhrit të tyre dhe 2 persona të proceduar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.
Janë pezulluar 192 leje drejtimi, nga të cilat: 56 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, 100 për drejtim mjeti mbi shpejtësinë e lejuar dhe 36 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë vendosur 6.178 masa administrative, mesatarisht 883 masa në ditë, të ndara sipas shkeljeve:
56 masa për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, 100 masa për shpejtësi tej normave të lejuara/gara shpejtësie, 362 masa për parakalime të gabuara, 627 masa për përdorim të aparatit celular, 378 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 295 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 62 masa për mosrespektim të semaforit, 312 masa për mosrespektim të orarit të qarkullimit brenda qendrave të banuara të mjeteve të tonazhit të rëndë dhe atyre të transportit të mallrave, 3986 masa për parkime të gabuara dhe shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë bllokuar 32 mjete, nga të cilat: 25 mjete me targa të huaja dhe mjete luksi, të cilat janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, për verifikim nga Seksioni kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, 4 mjete për moslikuidimin e gjobave dhe 2 për mungesë në dokumentacion.
Policia Rrugore e Tiranës falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.
/b.h