“Na doli në rrugë një makinë e zezë dhe na qëlloi”, kështu kanë deklaruar Gentian Bejtja dhe Klodian Stafuka, ndaj të cileve një ditë më parë u bë atentat në zonën e Fushë-Krujës.
Në dëshminë e tyre ata kane deklaruar se jane qëlluar nga një makinë në ecje e sipër dhe nuk e ka parë dot autorin që e ka qëlluar.
“Ishim në Fushë Krujë dhe po ktheheshim, në doli në rrugë një makinë e zezë dhe na qëlloi. Nuk e pashë kush ishte, por i dhashë makinës gaz”, është shprehur Bejtja dhe Stafuka.
NGJARJA
Pasi automjeti ku udhëtonte 41-vjeçari, i cili dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit, u qëllua me breshëri plumbash, drejtuesi humbi kontrollin, duke përfunduar me makinën e tij jashtë rruge. Pas aksidentit, mbeti i plagosur edhe pasagjeri, 31-vjeçari, Klodian Stafuka. Mbiemri i tij lidhet me atë të Enver Stafukës, i zhdukur prej vitit 2016, ndërsa vetë Bejtja ishte mik i këtij të fundit. Dy të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Më datë 09.01.2022, rreth orës 18:00, në Spitalin Ushtarak, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, shtetasit: G. B., rreth 41 vjeç, i cili në rrethana ende të paqarta dyshohet se është plagosur me armë zjarri në krah, gjatë kohës që po drejtonte automjetin dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. K. S., rreth 31 vjeç, i cili është lënduar në aksident rrugor në Nikël, afër një karburanti, pasi mjeti që drejtonte shtetasi G. B., ku shtetasi K. S. ishte pasagjer, ka dalë nga rruga. Menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njofton Policia.
Kjo është hera e dytë që 41-vjeçarit Gentjan Bejtja i bëhet atentat. Në vitin 2016 i ka shpëtuar një atentati me minë të telekomanduar. Bejtja ishte personi që së bashku me Enver Stafukën vodhën veturën e përdorur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013. Po ashtu, Bejtja, një ishpolic i burgut të FushëKrujës, është i njohur për Policinë për precedentë penalë në krimet ndaj pronës. Bejtja u bë i njohur me 26 shkurt të vitit 2013, një ditë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt, në rrugën “Petro Korçari”, fare pranë banesës së tij. Ai së bashku me Enver Stafukën, u arrestuan nga Policia, të dyshuar për vjedhjen e veturës “BMW”, e përdorur në vrasjen e kryekomisar Lamajt.
/b.h