Gara për të dërguar njerëzit në Mars ka filluar. Elon Musk nga kompania “SpaceX” ka thënë se ata mund të dërgojnë njerëzit në planetin e kuq në vitin 2026. “Mars One” thotë se ekuipazhi i tyre do të aterrojë në Mars vetëm një vit më vonë, më 2027.
“Timeline” e NASA-s planifikon për të dërguar njerëz në orbitën e Marsit në vitin 2033, kurse në sipërfaqe të planetit më 2039.
Agjencia e Hapësirës Evropiane (ESA) gjithashtu konsideron një mision në Mars në vitin 2033, ndërsa programi i hapësinor i Kinës është duke synuar të dërgojë njerëzit në Mars në mes të viteve 2040-2060. Sipërfaqja e Marsit mund të fillojë të duket mjaft e stërpopulluar me njerëz.
Kur këto ekipe të aterrojnë atje, ata të gjithë do të përfaqësojnë atje kompanitë dhe vendet e tyre. Kur ata do të ndërtojnë koloni, stacione kërkimore dhe objektet e jetesës në Mars, nga ata do të pritet që të raportojnë për ato subjekte.
Traktati për hapësirën e jashtme, i miratuar në vitin 1967, thotë se: “Hapësira e jashtme, duke përfshirë Hënën dhe trupat tjerë qiellorë, nuk janë subjekt i përvetësimit kombëtar nga pretendimi i sovranitetit, me anë të përdorimit ose profesionit, ose me çfarëdo mjeti tjetër”. Kjo do të thotë se kombet nuk mund të pretendojnë pronësi mbi Marsin (as nuk mund të vendosin armë bërthamore në të).
Por traktati është i paqartë në atë se si do të trajtohen kompanitë individuale sikurse “SpaceX”. Dhe ndërsa asnjë komb nuk mund të pretendojë sipërfaqen e Marsit, ata munden, teorikisht, të përdorin burimet marsiane pavarësisht se çfarë mund të jenë ato. Njerëzit që ndërtojnë shtëpitë e tyre të reja në Mars mund të mos e zotërojnë parcelën në të cilën jetojnë, por ata duhet t’i raportojnë kombit të tyre apo entitetit të korporatave që i mbikëqyr ata, transmeton “Zëri”, shkrimin e BBC.
Ky është realiteti, por Jakobi Hak-Misra ka zgjidhje për këtë. Hak-Misra është një studiues në Institutin Shkencor për Hapësirën, “Blue Marble”, kurse kohët e fundit ai botoi një ese të titulluar “Vlera transformuese e çlirimit të Marsit”, në të cilën ai argumenton se Marsi duhet të jetë plotësisht i pavarur që nga fillimi.
“Me Marsin, duket sikur ka potencial për të bërë diçka të ndryshme me qytetërimin nga ajo që ne kemi bërë tashmë”, thotë ai.
Ideja është e thjeshtë. Në vend që njerëzit të cilët jetojnë në sipërfaqen e Marsit t’i raportojnë kompanive dhe institucioneve në planetin e tyre, atyre duhet t’u jepet pavarësi totale. Për të siguruar këtë pavarësi, Hak-Misra përshkruan pesë dispozitat e pavarësimit.
Së pari, njerëzit që aterrojnë në Mars të heqin dorë nga shtetësia e tyre tokësore. Ata janë marsianë tani, jo tokësorë.
Së dyti, qeveritë, kompanitë dhe njerëzit në Tokë nuk mund të ndërhyjnë në politikën apo ekonominë e Marsit. Kjo do të thotë nuk ka masa shtrënguese, pazarllëqe ekonomike, apo marrëveshje prapa kuintave për mallrat ose shërbimet.
Së treti eksplorimi shkencor i Marsit mund të vazhdojë për aq kohë sa që nuk ndërhyhet në çfarëdo civilizimi që mund të zhvillohet në mënyrë të pavarur.
Së katërti, përdorimi i sipërfaqes banuese në Mars duhet të përcaktohet nga vetë marsianët.
Dhe nën pesë, çdo gjë që ishte sjellë nga Toka për në Mars tani është marsiane, dhe tokësorët nuk mund t’i kërkojnë ato përsëri, transmeton “Zëri”.
Për të bërë këtë pak më reale, le të marrim një shembull nga gazetat. Të themi se kompania “SpaceX” arrin e para në Mars me Transportierin e tyre Kolonial në vitin 2027 me një ekuipazh prej 15 njerëzve dhe me ngarkesat e nevojshme për të ngritur një koloni të përhershme. Nëse Marsi është i pavarur, këta 15 njerëz do të bien dakord që të mos jenë më banorë të Tokës. Ata tani janë banorë të Marsit, dhe veprojnë në Mars si një grup i pavarur pa lidhje politike apo ekonomike me Tokën.
Zgjidhje “çliruese”
Kjo mund të duket e çuditshme për një kompani apo vend që të shpenzojnë miliarda dollarë për të arritur në Mars, dhe thjesht të heqin dorë nga çdo kontroll mbi atë që ndodh në planet. Por kjo nuk është e pakonceptueshme, thotë Hak-Misra.
Dihet tashmë se ka mjaft shumë precedentë për revolucionet e udhëhequra nga kolonitë e ndara, nga krerët e tyre, në një distancë prej shumë miljeve. Shtetet e Bashkuara u rebeluan nga Anglia, ashtu si India, dhe në këtë mënyrë u bënë vende të pavarura. Dhe distanca midis Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk është asgjë në krahasim me distancën ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Marsit.
Ideja e pavarësisë planetare shfaqet në fantashkencë gjatë gjithë kohës. Në romanin e vitit 1966, “The Moon is a Harsh Mistress”, me autor Robert Heinlein, shtjellohet historia e kryengritjes së një kolonie hënore kundër sundimit tokësor. Në fakt, shumë prej argumenteve që në këtë libër përputhen me propozimin e Hak Misra-s; paaftësia për njerëzit në çdo planet që vërtet të kuptojnë njëri-tjetrin, nevoja për lirinë nga agjencitë që të kontrollojnë rezultatet e tyre ekonomike.
Në rastin e Marsit, kjo që e tha më lart duket më se reale kur shumica e njerëzve që jetojnë në Mars të kenë lindur atje. “Pasi të keni shumicën e njerëzve në Mars të cilët nuk kanë qenë kurrë në Tokë, kur kalon një brez dhe askush nuk është një i lindur në Tokë, ajo do të jetë një pikë kthese”, thotë ai. / BBC/ ZËRI/