Nga Skënder Minxhozi/
Orët e fundit, pas shumë muajsh nga nisja e saj, reforma në drejtësi e ka orientuar debatin tek trupa e personave që do t’i japin jetë draftit të saj final. Një reformë politike apo një reformë ekspertësh? Megjithëse kjo dilemë krijoi shumë dramë dhe pasion orët e fundit, vetë ngritja e kësaj pyetjeje duket pa sens. Dhe ja përse:
Së pari, çdo nismë ligjore, e jo më një paketë e tërë ndryshimesh kaq të rëndësishme e delikate, kanë në themel punën dhe kontributet e ekspertëve. Është e pasinqertë të besosh se barra teknike e një nisme të tillë të komplikuar, mund të mbahet e gjitha në shpinë nga një parlament që ka brenda deputetë me kapele kaubojsësh, apo emra të inkriminuar e të korruptuar, të cilët mund të jenë nesër gjahu më i parë i një sistemi rigoroz drejtësie.
Së dyti, është e kuptueshme që një reformë që ka pas një vullnet të qartë politik dhe që në fund të rrugës së saj do të marrë votat e Kuvendit të Shqipërisë, mund të jetë veçse politike, e jo ndryshe.
Së treti, kjo klasë politike i ka pasur të gjitha mundësitë, kohën dhe kushtet, që ta korrigjojë sistemin e drejtësisë në këto 25 vjet. Ajo që ka ndodhur ka qenë në fakt e kundërta e një reformimi të thellë e objektiv. Në vend të gjykatave të pavarura, është krijuar një monstër laramane, ku interesat financiare janë ndërthurur me ato politike, duke e nxjerrë sistemin krejtësisht jashtë funsionimit normal. Drejtësia sot shitet dhe blihet, ajo i jepet të fuqishmëve dhe u hiqet të dobtëve. Politika është përgjegjësja kryesore për këtë situatë.
Skema inteligjente që ndërkombëtarët krijuan në fillimet e reformës, duke e mbajtur larg tryezën e debateve teknike, nga duart manipuluese të partive politike, është formula e vetme që mund të garantojë që procesi të ecë e të mos bllokohet. Vula finale e Komisionit të Venecias është ndërkohë fundi logjik i një pune të kryer nga ekspertë shqiptarë e të huaj, me përgjegjshmëri të lartë profesionale dhe në afate të shpejta kohore.
E gjithë zhurma që po bëhet këto orë rreth mungesës së politikanëve, nxitet nga ajo pjesë e politikës shqiptare që ka frikë me atë që do të ndodhë kur reforma në drejtësi të ndërpresë mandate dhe të çojë në burg gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Si hapi i parë, pas të cilit do të vijë rradha e dënimeve të politikanëve që kanë vrarë e vjedhur, e nuk janë dënuar kurrë. Ja pse duhet një reformë “ekspertësh” në kënetën 25 vjeçare shqiptare.