Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë gjatë fjalës së tij para mijëra protestuesve në sheshin “Skënderbeu” në Prshtinë se qeveria e udhëhequr nga PDK e LDK duhet të largohet që të bëhet Kosova.
Në fjalimin e tij në protestën që kërkon largimin e Qeverisë, Haradinaj ka thënë se mazhoranca me në krye Isa Mustafën e Hashim Thaçin, po përpiqet që ta frikësoj bashkësinë ndërkombëtare se Opozita po e kërcënon vendin.
“Këtyre që e kanë mashtruar qytetarin, që e kanë armiqësuar dhe manipuluar, tash këta po u thonë jo, qytetarët, atdhetarët, të rinjtë e rejat, pra ne kemi ardhur të gjithë bashkë t’i themi jo, pra jo Isë, jo Hashim”.
“Ata po dëshirojnë të e shtypin opozitën, por ata do të dalin vet”.
“Tash këta po e nxisin bashkësinë kombëtare se po rrezikohen nga opozita, por të gjithë e dinë që këta janë mashtrues e jo opozita”.
“Ne e dimë që është vështirë të bëhet Kosova, por Kosova do të bëhet kur këta të shkojnë në shtëpi. I themi shkoni që të luftohet korrupsioni, që të forcohet ekonomia. Shkoni që ta kemi ushtrinë, shkoni që ta kemi shtetin dhe sovranitetin”, ka thënë Haradinaj.
Fatmir Limaj
Lideri i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë para mijëra protestuesve se Kosova është bashkuar në Prishtinë për t’u thënë shkelësve të Kushtetutës që nuk mund të qeverisni më me shtetin e Kosovës.
Limaj ka deklaruar se nuk ka shtet në Evropë që pranon qeverisjen nga një Qeveri që ka shkelur Kushtetutën, të cilët për muaj të tërë kanë tentuar ta përlajnë qytetarët e Kosovës.
“Qeveria nëse nuk e kanë kuptuar deri mbrëmë se çka kanë bërë, sot në sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skenderbe ka ra Qeveria e Kosovës, ne kërkojmë zgjedhje të lira dhe të zgjidhet kriza politike”, tha Limaj.