Një grua myslimane u dëbua nga një takim elektoral i Donald Trump në Karolinën e Jugut. Rose Hamid, 56 vjeç, një amerikane myslimane, u fut mes mbështetësve të kandidatit repulikan për Shtëpinë e Bardhë si formë proteste ndaj retorikës së tij.
Por nisma e 56-vjeçares nga Charlote, që është presidente e Shoqatës së Grave Myslimane në Karolinën e Jugut, nuk u prit mirë as nga Donald Trump dhe as nga turma.
Ajo qëndroi vetëm pak minuta pas nisjes së fjalës së Donald Trump dhe e veshur me hixhab ra në sy menjëherë.
Turma kërkoi menjëherë largimin e saj me brohorima kundërshtuese. Kaq mjaftoi që 56-vjeçarja të shoqërohej jashtë nga një oficer i sigurisë.
Rasti nuk mund t’i shpëtonte Donald Trump i cili e komentoi atë kështu: “Ka urrejtje të pabesueshme mes nesh dhe ajo nuk është urrejtja jonë, por urrejtja e tyre (refugjatëve)”.
Rose Hamid ka lindur në Amerikë si bijë e një babai palestinez dhe një nëne kolumbiane. Ajo drejton prej kohësh Shoqatën e Grave Myslimane në Karolinë dhe shkruan shpesh për besimin islam.
E pyetur mbi pjesëmarrjen në takimin elektoral të Donald Trump ajo thotë se e zgjodhi si formë proteste të heshtur për t’u treguar ndjekësve të kandidatit republikan sesi është një “femër myslimane”.
“Nuk fajësoj njerëzit që e ndjekin atë, fajësoj fjalimet e tij (Donald Trump) mbushur plot urrejtje ndaj emigrantëve”, thotë ajo.
Donald Trump është vënë shpesh në qendër të kritikave për deklaratat e tij kundër emigrantëve, ku e fundit ishte ajo kundër sirianëve. “Nëse fitoj unë, të gjithë ata do të largohen nga SHBA”, tha ai./Tch