Nga Ilva Tare
Ka një përqëndrim të energjive nga e gjithë klasa politike dhe partnerët ndërkombëtare tek reforma në drejtësi dhe draftet e ekspertëve. Ndjeshmëria ndaj rezultatit final të kësaj reforme është e lartë, nervoze dhe pa dyshim e mbarsur me lojëra politike të secilit kamp që përpiqet makismalisht të ruajë interesat e tij. Pavarësisht se qëllimi përfundimtar është një drejtësi e barabartë për të gjithë qytetarët shqiptarë, mendjet e atyre që po gatuajnë brumin e trupës që do të përbëjë drejtësinë janë të ngarkuara me formula që lidhen me emra dhe emra që garantojnë paprekshmëri edhe pas reformës.
Dialogun e munguar në skenën politike në këto dy dekada e gjysëm po përpiqet ta vendosin në distancë ambasadorët e SHBA dhe BE, duke u përplasur me rryma të nëndheshme që i sulmojnë publikisht dhe privatisht. Përgjegjësia e përfshirjes së ambasadorëve në reformën më jetike të shoqërisë së paralizuar të pas komunizmit nuk është e amerikanëve dhe as e europianeve, por e shqiptarëve që kanë mbajtur në jetë një klasë politike që ka gjetur gjuhën e bashkëpunimit sa herë i është dashur të mbulojë grabitjet publike të secilës palë, por asnjëherë kur i është dashur të negociojë me maturi për të mirën e qytetarëve shqiptarë, të lënë në mëshirën e grabitqarëve të drejtësisë, kriminelëve të rrugës dhe të zyrave publike sikur të ishin jetimë në shtetin e tyre.
Sic e kanë paralajmëruar edhe hartuesit e kësaj reforme për të cilën flitet ditë natë pa pushim, gjasat janë se nuk do të ketë efekte të dukshme dhe të prekshme për shoqëerinë pa kaluar edhe të paktën tri vite. Pra, në rastin më të mirë mund të fillohet të shpresohet për një drejtësi të ndershme dhe të pakurroptuar rreth viteve 2020, edhe pse po të ndjekësh tensionimin e klasës politike të këtyre ditëve duket sikur hataja është pas portës. Frika nga ndëshkueshmëria është e vërtetë që po afron dhe se do të vinte një ditë pashmangshmërisht, por qytetarët e këtij vendi do të mbeten edhe për një kohë të gjatë të diskriminuarit e mëdhenj che të pamundurit nuk do të kenë mundësi ta ndjejnë shijen e barazisë përpara ligjit.
Reforma të tilla, si kjo e drejtësisë që politikanët po përpiqen ta cojnë përpara më shumë nga halli sesa dëshira janë të lidhura pazgjidhshmërisht me të ardhmen europiane të vendit dhe me celjen e negociatave si një kusht i pangociueshëm nga vendet e BE-së. Ndërsa klasa politike po punon pa e zënë gjumi natën për reformën, drejtësia është duke bërë kërdinë rrugëve të Shqipërisë. Për shqiptarët që duan të jetojnë të sigurtë në vendin e tyre janë tronditëse ngjarjet e këtij fillim viti. Kriminelë të padënuar, vrasës të pandëshkuar, bukëpjekës të ekzekutuar për grabitje dhe familje që bashkëjetojnë me ujin dhe lagështirën erërëndë të përzjerjes së kanalizimeve gjithherë problematike edhe për shkak të abuzimeve me fondet publike. Gruaja që u sulmua natën e vitit të ri dhe që humbi bashkëshortin po lufton për të jetuar në spital, ndërsa familjet e vëllezërve të vrarë për moslejimin e krushqisë nuk po e ndjekin dot ecurinë e reformës në drejtësi, sepse për ta drejtësia nuk do të ketë mundësi të vendoset më kurrë.
Sikur Rama dhe Meta të ishin takuar kaq shpesh apo sikur të ndodhte cudia që të takoheshin edhe me opozitën për të diskutuar gjendjen e rendit publik, emergjencën e përmbytjeve, reagimin kaotik dhe të pamjaftueshëm të institucioneve përgjegjese, shqiptarët do të kishin më shumë shpresë se për ata po bëhet drejtësi dhe jo pazare. Por e vërteta është se nga kjo reformë ku janë përqëndruar të gjithë motorrët e politikës më shumë se sa për përfitimin publik, po mendohet si t’i shmangen ndëshkimit. Dhe më e keqja është se reformë është një fjalë në dukje e madhe që thotë pothuajse asgjë nëse nuk ka vullnet për të bërë shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
Kur të ketë ikur Donald Lu dhe Romana Vlahutin dhe të vijnë ambasadorë që nuk do t’ua dimë emrat atëherë mund të thuhet se Shqipëria ka hyrë në listën e vendeve që interesat e qytetarëve të thjeshtë i garanton një shtet me institucione funksionale dhe se drejtësia nuk vret më shpresën dhe as jetë të pafajshme. Gjasat janë që kultura e munguar e dialogut politik, korrupsioni i lartë i atyre politikanëve që kanë zgjedhur t’i bëjnë për budallenj shqiptarët do të lëvizin male dhe gurë për ta vonuar ditën e një Shqipërie të drejtë, pasi do të ishte dhe dita e fundit në liri e abuzuesve me pushtetin dhe shtetin.