Të tjera detaje zbulohen nga atentati me tritol që u bë gjatë natës në zonën e Unazës së Re në Tiranë, ku një makinë shpërtheu në lëvizje.
Gazetari i Klan News Besar Bajraktari zbulon se shoferi Mikel Harizaj që ka mbetur i plagosur është pronar një lokali në zonën e Xhamllikut në kryeqytet. Ai ka në pronësi gjithashtu edhe një market në po të njëjtën zonë.
Ndërsa pasagjeri, që gjithashtu është i plagosur, Serini Dumi, punon si kamarier në lokalin e Mikel Harizajt. Ky i fundit ka qeë duke çuar për në shtëpi 26-vjeçarin.
Por gjatë rrugës, automjeti tip Mazda shpërtheu me tritol. Hetuesit besojnë se bëhet fjalë për një shpërthim me telekomandim.
Lëndë plasëse ishte vendosur poshtë makinës nga krahu i shoferit.
Mikel Harizaj 42 vjeç dhe Serini Dumi 26 vjeç ndodhen në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:50 në Unazën e re të Tiranës. Mikel Harizaj është person me precedent penal pasi në vitin 2009 kishte plagosur me granatë 3 persona në Vlorë.
/a.r