Analisti Ilir Yzeiri i ftuar këtë të mërkurë në emisionin ToP Talk të drejtuar nga Denis Dyrnjaja komentoi blindimin e PD-së dhe moslejimin e mbështetësve të Sali Berishës brenda selisë blu.
Ai e ka konsideruar të pakuptimtë luftën mes Bashës dhe Berishës për selinë blu. Sipas Yzeirit, kjo çështje delikate duhet të zgjidhet në gjykatë.
“Ky është grotesk, çfarë kërkojnë këta njerëz, ajo është selia e PD, godinë e krijuar nga komunistët për oficerët e ngritur mbi trojet e një toptanasi nëse nuk gaboj.
Është një ndërtesë si me qenë shtëpia jote. Pse ka marrë këtë rëndësi sot, jemi përballë jo një realiteti konkret, por social juridik që duhet ta zgjidhë gjykata.
Ajo godinë e shënjon përmbajtjen e PD?! Situata në PD është qesharake, absurde groteske, PD ka një zot, ka një statut, një godinë. Është një formacion politik e regjistruar në gjykatë, me një vulë, me një adresë.
Kujt do t’ja marrin këtë Parti Demokratike?! Se këtu fillon grotesku. Është një spektakël qesharak, PD mund të bëjë veprime edhe më të rënda se kaq”, tha Yzeiri.
Sot ishte dita e fundit e afatit të vendosur nga Berisha që kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha të largohet nga posti, pasi sipas tij u shkarkua me votën e lirë nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor 2021 dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor 2021./m.j