Tryeza e sotme mes ekspertëve dhe nën praninë e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin nuk ka kaluar edhe pa disa kushte për opozitën, sikurse për mazhorancën që tërhoqi draftin e saj.
‘Java News’ mëson se ambasadorët i kanë kërkuar opozitës t’i japë fund bojkotit të tryezave ku diskutohet për Reformën në Drejtësi, duke e vendosur të djathtën kështu përpara një presioni. Mësohet se diskutimi mes palëve do të nisë me Nenin 23, pra propozimin për shtimin të një ike në nenin që flet për kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.
Burimet për ‘JavaNews’ theksojnë se pritet të dëgjohën alternativat e ekspertëve të PD për votimin me shumicë të cilësuar. Ky proces pritet të mbikqyret nga ndërkombëtarët, ndërsa në këtë formë PD i ikën edhe bojkotit.
Ja çfarë thotë Neni 23 i Amendamenteve Kushtetuese
Në nenin 131 shtohet shkronja g, me këtë përmbajtje: Gjykata Kushtetuese vendos për:
g) Shqyrtimin e mosmarrëveshjeve juridiksionale, si dhe të kompetencës lëndore dhe funksionale midis Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative, si dhe midis vetë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë Administrative.
Neni 131 i Kushtetutës:
Gjykata Kushtetuese vendos për:
a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, siç parashikohet në nenin 122;
b) pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre;
c) pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare;
ç) mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore;
d) kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të kësaj Kushtetute;
dh) shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij;
e) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre; ë) kushtetutshmerinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij;
f) gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave.