Maxhoranca dhe opozita do të vijojnë punën e përbashkët për draftimin e rekomandimeve të Komisonit të Venecias në funksion të realizimit të procesit reformues të sistemit të drejtësisë.
Në një kohë kur po vihej në diskutim prania e ekspertëve të opozitës në këtë proces, takimi i ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin, me ekspertë të opozitës dhe mazhorancës për reformën në drejtësi, ka dhënë efektin e tij.
Në përfundim të këtij takimi, eksperti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha për mediat se “u ra dakord së pari për tërheqjen e draftit të pakonsultuar që qarkulloi ditët e fundit”.
Së dyti, vijoi Alibeaj, u ra dakord që dokumenti i vetëm që do të diskutohet për të arritur draftimin e reformës kushtetuese në drejtësi, do të jetë ai i opinioneve të Komisionit të Vencias.
Së treti, tha ai, u ra dakord që në kushte barazie, ekspertët e opozitës dhe të qeverisë të vijojnë punën e tyre të përbashkëta për të draftuar rekomandimet e Komisonit të Venecias, rekomandime të cilat mund të jenë të tilla që mund të ofrojnë disa variante që mund të jenë të përbashkëta me ekspertët e qeverisë dhe opozitës.