Vijojnë hetimet nga ana e policisë greke për arrestimin e 34-vjeçarit shqiptar, i cili vrau bashkëshorten e më pas rrëmbeu djalin e tij të mitur.
Ndërkohë, vëllai i viktimës, teksa është pyetur nga gazeta greke ‘Protothema’ në lidhje me ngjarjen, pohoi se Klodi Lesi mund të jetë ndihmuar nga një shok i tij për t’u kthyer në Shqipëri.
Ngjarja e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik grek, por dhe atë shqiptar ndodhi dy ditë më parë në zonën e Halkidhikisë në Selanik. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shkak i zëmërimit të shqiptarit të jetë bërë fakti se 41¬-vjeçarja e kishte përjashtuar atë nga biznesi familjar.
Sipas “Zouglas”, shqiptari Klodi (James) Lesi e ka goditur me thikë gruan e tij 7 herë. Goditjen e fundit ia dha në kokë, ku iu thye edhe thika.
Policia thotë se pjesa metalike e thikës mbeti në kafkën e viktimës. Krimi makabër ndodhi në guzhinën e banesës. Më pas, Lesi ka marrë djalin e mitur dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, fqinjët e shqiptarit dhe shtetases greke janë shprehur të tronditur nga ngjarja. E gjithë skena ndodhi në prani të fëmijës, që shqiptari e ka marrë me vete në arrati. Sipas fqinjëve, shqiptari kishte kohë që ishte i papunë dhe ndonjëherë kryente punë sezonale në sitet turistike.
Policia greke është vënë nën alarm, pasi nuk dihet fati i djalit të mitur. Menjëherë janë marrë pasa për përforcime në kufirin greko-shqiptar, pasi dyshohet se Klodi Lesi mund të arratiset në vendin tonë. Policia greke publikon zyrtarisht edhe dy foto me të dhënat e shqiptarit të kërkuar për vrasjen e gruas dhe rrëmbimin e fëmijës.