Nga Dritan Gremi
Më shume se 2400 qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian, ranë pre e një historie mashtrimi të lidhur me atë që u quajt skandali Forex.
Miliona euro të zhvatura nga xhepat e gjermanëve, francezëve, italianëve apo belgëve, u dërguan në parajsat fiskale nga një kompani Call Center me qendër në Shqipëri, me kosto të pallogaritshme për imazhin akoma të brishtë të vendit tonë.
Këta qytetarë regjistroheshin në platformën e ngritur me qëllim, me emër, mbiemër, e-mail dhe numër telefoni. Më pas ata kontaktoheshin menjëherë në telefon me synimin për të krijuar një marrëdhënie besimi. Fillimisht klienti tundohej të investonte sasi të vogla parash në kriptomonedha, me premtimin se përmes tyre do të gjenroheshin të ardhura të mëdha. Në fakt gjithçka ishte e rreme. Paratë investoheshin në një platformë që nuk kthente asgjë pas, por përfundonte në parajsa fiskale.
Hetimi i nisur në 21 shtator të vitit 2021, urdhëroi arrestimin e 35 personave, mes të cilëve edhe administratorin Izraelit.
Por tashmë, ai që mund të duket si fundi i një skeme mashtrimi mund të jetë në fakt fillimi i një skeme rrënimi, për bizneset e Call Center-ave në Shqipëri. E kam fjalën për ato biznese të ndershme, të cilët krijojnë kontrata legale pune jashtë vendit, por që për shkak të një skandali që mbushi faqet e gazetave të huaja dhe humbjes së besimit nga qytetarët të cilët refuzojnë t’u përgjigjen telefonatave të operatorëve shqiptarë, rrezikojnë seriozisht kontratat. E bashkë me to edhe vendin e punës për më shumë se 25 mijë të punësuar në këtë sektor, gjë e cila për hir të së vërtetës ka filluar të ndjehet në disa call center që po reduktojnë dita ditës stafin e tyre. Historia në fjalë ka ende shumë paqartësi që priten të dalin nga hetimi, ndërkohë që skema mbetet e rrezikshme edhe në sektorë të tjerë.
Kohët e fundit gjerësisht ka nisur një tjetër “peshkim” i qytetarëve të huaj përmes telefonatave nga kompani të ndryshme Call Center duke përdorur të njëjtën strategji e me shumë mundësi dhe të njëjtën databazë të dhënash. Është ende e paqartë se si këto kompani marrin dhe sigurojnë të dhënat me kontaktet e këtyre qytetarëve europianë duke i përdorur ato pa miratimin e tyre. (Pjesë që vlen dhe mbetet për t’u investiguar, veçanërisht pas precedentit me skandalin e të dhënave në vend). Tashmë kompani të caktuara Call Center i kanë hedhur grepat në sektorin e turizmit dentar. Pa asnjë kompetencë, profesionalizëm, trajnim dhe njohuri mjekësore, ato kontaktojnë në mënyrë apriori qytetarë europianë për t’ju ofruar shërbime dentare, qofshin apo nuk qofshin këta të fundit të interesuar. Më tej duke shfrytëzuar emrin dhe imazhin e mirë te turizmit dentar të krijuar me shumë mund e djersë ndër vite, operatorët përpiqen t’i bindin klientët e tyre për t’i sjellë për turizëm dentar në Shqipëri. Një proces që mbart shumë rreziqe dhe të panjohura për pacientët e huaj.
Së pari kompanitë Call Center nuk kanë as trajnimin dhe as informacionin e duhur për ta shitur këtë shërbim.
Së dyti produktet shëndetësore nuk janë mall konsumi që mund të shitet, të negociohet dhe të trajtohet nga telefoni. Së treti dhe më e rëndësishmja? Ku adresohen këta pacientë? Në cilat klinikat? Në çfarë standardesh ? Tek cilët mjekë apo kirurgë dentarë? A mban përgjegjësi ndërmjetësuesi i tyre, pikërisht kjo kompani Call Center, se çfarë problemesh mund të ketë më pas ky pacient?
A janë në dijeni autoritetet se cilat janë kompanitë që i shesin këto shërbime dhe si i sigurojnë të dhënat? A ka kontrolle të ushtruara ndaj gjithë këtj zinxhiri që rrezikon të na kthehet në një tjetër skandal, e madje edhe më të rëndë, për kostot e imazhit. Dhe këtu nuk flas vetem për turizmin dentar, por për turizmin në tërësi dhe për kredibilitetin e vendit tonë që me shumë përpjekje është rritur vitet e fundit. Ndaj duhet mbrojtur me çdo kusht pasi është pasuri e gjithsecilit prej nesh. Kujtoj se vetëm pak ditë më parë mediat italiane, shkruajtën gjatë për vdekjen e një 71-vjeçari në Tiranë, vetëm një ditë pas kirurgjisë dentare. A u zbardh ky rast nga autoritetet tona? A ka patur raste të tjera të ngjashme që nuk i dimë, që nuk janë zbuluar apo që janë fshehur? Sa rrezikojmë që kjo histori të përsëritet dhe kur do mbarojë kjo hamulli e njerëzve të papërgjegjshëm të cilët po dëmtojnë të ardhmen e brezave? Le t’u përgjigjen autoritetet tona këtyre pyetjeve para se të jetë vonë, për një skandal të ri edhe më i madh se ai i pari. Sepse këtë radhë nuk janë në lojë paratë, por shëndeti i njerëzve. Dhe kjo është një lojë e rrezikshme nëse luhet pa rregulla. E përsëris se ndoshta disa e kanë të vështirë ose nuk duan ta kuptojnë, këtu është në lojë imazhi dhe kredibiliteti i Shqipërisë, që do të thotë turizëm, investime të huaja, ekonomi, e ardhme për fëmijët dhe më shumë krenari për emrin shqiptar.