Samir Nasri zbuloi një histori të kaluar që mund të kishte prishur ecurinë e madhe të Manchester City më 2012. Në atë vit, “qytetarët” fituan titullin e tretë në historinë e tyre në 34 vite. Në atë kohë, trajner i skuadrës ishte kryepankina aktuale e Italisë, Roberto Mancini, i cili pati një grindje të ashpër me francezin.
Nasri, i cili u tërhoq nga futbolli në shtator, zbuloi për “Canal +” se çfarë ndodhi asokohe, se mund ta kishte thyer dhomën e zhveshjes dhe t’iu mohonte tifozëve të Manchester City një gëzim që kishte munguar nga viti 1968.
“Katër ditë para përfundimit të kampionatit u përballëm me Wolverhampton. Unë isha duke luajtur në anën e tij dhe trajneri nuk pushoi së foluri për asnjë çast. Në pjesën e parë i thashë: Mjaft me fole. Nuk jemi në Play Station. Nëse nuk luaj mirë, më zëvendëso, por mos fol kështu me mua.
U kthyem në dhomat e zhveshjes në fund të pjesës së parë dhe tashmë i kisha hequr këpucët. Kisha Yaya Touré pranë meje dhe i thashë se po të më thoshte diçka do t’i hidhja një këpucë Mancinit. Mendova se do të isha jashtë loje pak pas kësaj, por më la në fushë dhe shënova gol.
Pastaj, në stërvitje filloi të më ofendonte në italisht dhe unë e kuptova, ndaj iu përgjigja. Më nxori nga stërvitja dhe unë u largova duke hedhur fanellën. Shkova në zyrën e tij, por nuk ishte aty, pastaj e gjeta duke ngritur pesha.
Doja të debatoja, por ai më tha se duke qenë të dy të inatosur, nuk do të dilte asgjë e mirë nga debati. Unë insistova, ai u përpoq të më merrte me të mirë, por i bërtita se nuk isha si Balotelli, me të cilin bënte gjithmonë kështu gjërash.
Më vonë u përpoq të më merrte tek Interi dhe te Zenit, sepse ai nuk i duron dot njerëzit falsë, përkundrazi vlerëson të sinqertët. Nuk kam pasur asnjë problem më tej dhe që nga ato ditë kemi shkuar gjithmonë mirë”.
/a.r