Autoritetet sudaneze thanë të mërkurën se ekipet e kërkim shpëtimit kanë mundur të nxjerrin të paktën 31 trupa nga miniera e shembur e arit në provincën e West Kordofan.
Kompania shtetërore e minierave tha se punonjësit dhe banorët po kërkonin në minierën Darsaya për trupa të tjerë, por edhe për persona që mund të kenë shpëtuar. Miniera ndodhet në fshatin Fuja, rreth 700 kilometra në jug të kryeqytetit, Khartoum.
Ajo u shemb më herët gjatë kësaj jave duke u marrë jetën të paktën 38 personave. Kërkimet për të mbijetuar dhe për nxjerrjen e trupave të pajetë vijojnë prej ditësh
Autoritetet vendase thanë se miniera nuk ishte funksionale, por minatorët lokalë ishin kthyer për të punuar atje, kur forcat e sigurisë u larguan nga zona.
Shembjet në minierat e arit në Sudan janë të zakonshme, për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë.
Sudani është një nga prodhuesit më të mëdhenj të arit, me shumë miniera të shpërndara në të gjithë vendin. Megjithatë, prej vitesh kjo industri vuan nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni.
/a.r