Ish-ambasadori i Shqipërisë në Gjermani e Greqi, Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”, sjell në librin e tij “Miqësi e trazuar, Greqia në kujtimet e ambasadorit” takimet me ish-Presidentin e Greqisë Karolos Papoulias, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, në moshën 92- vjeçare.
Në libër sillen të gjalla episode të shumta nga takimet dhe bashkëpunimi i ambasador Zenelit që nga viti 1991 me Karolos Papoulias, deputet i Janinës dhe ministër i Jashtëm.
Një moment domethënës për nivelin e demokracisë në vendin fqinj është edhe mënyra e propozimit dhe e zgjedhjes së Papoulias si President të vendit.
Ka qenë propozim i Kryeministrit Konstandin Karamanlis, kryetarit të Demokracisë së Re, i cili i propozoi opozitarit Jorgo Papandreu emrin e ish-ministrit të Jashtëm të PASOK-ut, Karolos Papoulias në krye të vendit.
Sigurisht që Papandreu e mirëpriti këtë propozim që vinte nga kundërshtari politik, ndërsa Papoulias mori në Parlament të gjitha votat e partisë në pushtet dhe të partisë së tij PASOK.
Në libër, ambasador Zeneli rrëfen qëndrimin e ish-Presidentit të Greqisë për marrëdhëniet mes dy vendeve, respektin dhe dashurinë e Papoulias për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe premtimin se takimin e parë menjëherë pas zgjedhjes do ta bënte me Presidentin e Shqipërisë në atë kohë, Alfred Moisiun. Takimi u zhvillua në Janinë, dy javë pas votimit të tij në Parlament.
BASHKIM ZENELI
PAPOULIAS PRESIDENT – TAKIMI I PARË ME AMBASADORIN E SHQIPËRISË
Më 8 shkurt 2005 do të merrja pjesë në seancën e Parlamentit grek që do të zgjidhte Presidentin e ri të vendit, z. Karolos Papoulias. Isha së bashku me diplomatin Sofo Vasili, shumë aktiv jo vetëm në detyrat konsullore, por edhe në ato politike e diplomatike.
Siç kam shkruar edhe më lart, për rëndësinë e “sigurt” të zgjedhjes së zotit Papoulias si President i Republikës helene më kishte folur ambasadori amerikan, z. Thomas Miller, i larguar në fund të dhjetorit për në Britaninë e Madhe.
Por kishte disa ditë që edhe shtypi e përmendte, ndër të parët emrin e z. Papoulias. Ato ditë nga një mik imi gazetar shumë i njohur grek kisha mësuar një fakt shumë interesant: Kryeministri i vendit, z. Karamanlis, i kishte telefonuar krejt papritur liderit të PASOK-ut, z. Papandreu, dhe i kishte thënë nëse ai do të pranonte që t’i ofrohej z. Papoulias posti më i lartë i Presidentit të vendit… Dhe zoti Papandreu, pa asnjë mëdyshje, e kishte pranuar.
Atëherë Kryeministri Karamanlis i kishte telefonuar vetë zotit Papoulias dhe i kishte ofruar detyrën, duke i thënë se edhe PASOK-u e mbështet kandidaturën e tij…
Kështu, duke pasur mbështetjen e plotë të dy grupeve më të mëdha parlamentare në vend, Demokracisë së Re dhe PASOKut, në krye të shtetit do të vendosej një nga politikanët më të shquar grekë të pasluftës, një figurë e emancipuar europianiste, me një të kaluar të spikatur dhe me kontribute të njohura për Greqinë moderne.
Por, nga ana tjetër, me këtë zgjedhje konsensuale do të mund të shmangej edhe ajo që dëshirohej jo pak në radhët e disa partive, edhe të një pjese të PASOK-ut: zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Votimi nuk zgjati shumë. Kandidatura e z. Papoulias 76-vjeçar u prit me shumë duartrokitje në sallën e Parlamentit. Deputetët qëndruan në këmbë për minuta të tëra.
Me Sofon bisedonim se edhe për Shqipërinë kjo ishte gjë e mirë, pasi z. Papoulias njihej nga të gjithë si një mik i vyer i Shqipërisë dhe që në të gjitha funksionet që kishte pasur, sidomos si ministër i Jashtëm, kishte kontribuar shumë për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë midis Greqisë dhe Shqipërisë (kjo nuk donte të thoshte aspak se edhe zoti Stefanopolous nuk kishte qenë i tillë, mik shumë i mirë i Shqipërisë). Zoti Papoulias u zgjodh me 279 vota pro nga 300 deputetët e Parlamentit grek. Dhe ky ishte rasti i parë që një President i vendit zgjidhej me një shumicë kaq të madhe.
Për Presidentin e ri votuan të gjithë deputetët e Demokracisë së Re dhe të PASOK-ut dhe abstenuan 17 deputetë të Synaspismo (sot Syriza) dhe të Partisë Komuniste. Në procesin e votimit nuk ishin të pranishëm 4 deputetë.
Vetë zoti Papoulias nuk ishte i pranishëm në këtë seancë zgjedhore. Sapo dolëm me z. Vasili, në mbrëmje i telefonova Presidentit Moisiu dhe e vura në dijeni për zgjedhjen e z. Papoulias.
Të nesërmen, nga shtypi mësova se menjëherë pas zgjedhjes, në zyrën e vogël të z. Papoulias në Kolonaki (kam folur më lart për këtë) kishte shkuar Kryetarja e Parlamentit, zonja Ana Psarudha-Benaki, së bashku me nënkryetarët e Parlamentit dhe i kishin bërë të njohur zyrtarisht rezultatin e votimit.
Atë mëngjes gazetat shkruanin se zonja Benaki ishte shprehur se “zoti Papoulias do të dijë t’i përgjigjet shkëlqyeshëm rolit të vet, bazuar në përvojën e madhe politike, edukatën shkencore, sensibilitetin shoqëror dhe karakterin e qetë e të moderuar”.
Ndërsa z. Papoulias atë mbrëmje kishte deklaruar se “votimi përligj objektivin kushtetues për konsensus në zgjedhjen e Presidentit të Republikës… Besoj se konsensusi ishte një arritje e qytetërimit tonë politik dhe kërkesë e shoqërisë greke për të gjitha çështjet e mëdha që preokupojnë atdheun tonë.
Komunikimi me qytetarët grekë më ka mësuar se përbëjnë kërkesa kolektive pjekuria politike dhe ndershmëria, të sjellët me masë dhe sensibiliteti në jetën publike, me qëllim që të përgatisim një të nesërme më të mirë për atdheun tonë dhe të ndërtojmë një shoqëri më pak egoiste dhe më të drejtë…
Me respekt ndaj pikëpamjeve të të gjitha partive dhe të përfaqësuesve të popullit grek, falënderoj përzemërsisht për nderin e madh, të cilin e pranoj me ndjenjë përgjegjësie”.
Zgjedhja e z. Papoulias u prit me shumë entuziazëm nga populli grek. Karolos Papoulias ka lindur në Janinë, në vitin 1929, dhe gjatë të gjithë karrierës së tij ka qenë shumë i lidhur me Janinën dhe qytetarët e saj, duke qenë në çdo legjislaturë deputet i asaj zone.
Në Janinë do të më tregonin se në të gjitha funksionet që kishte, ai do të vinte vazhdimisht aty, do të takohej me miq e me shokë, do të ulej në kafene dhe restorante, do t’u bënte vizita në shtëpi të afërmve dhe miqve në raste gëzimesh apo hidhërimesh familjare. Vendasve do t’u zgjidhte përherë problemet duke çuar zërin e tij me peshë në qeveri apo Parlament, për investime, infrastrukturë, për ndërtim shkollash e zhvillim turizmi.
Për Spitalin shumë modern të Janinës – një nga më të mirët jo vetëm në Greqi, por edhe në rajon – në Janinë do të tregonin me krenari se “këtë e kemi nga Karolos”.
Zoti Papoulias njihej në Greqi për “Deutsch kultur”. Me të unë flisja përherë në gjermanisht. Ai kishte studiuar për drejtësi, në fillim në Athinë e më pas në Universitetin “Ludwig Maximilian” të Munihut.
Po në Gjermani, në Këln, kishte mbrojtur edhe doktoraturën. Zoti Papoulias që në moshë fare të re ka qenë i përfshirë në formacionet partizane në luftën kundër fashizmit. Nga zoti Papoulias kam dëgjuar shumë histori të bukura të bashkëpunimit të formacionit të tij partizan me formacionet partizane shqiptare në Jug të Shqipërisë (më poshtë do të tregoj edhe për këtë).
Me ardhjen e juntës fashiste në pushtet në Greqi, në vitin 1967, zoti Papoulias do të themelonte organizatën antidiktatoriale “Unioni Socialdemokrat i Botës së Jashtme” dhe deri në vitin 1974 do të shkruante vazhdimisht në shtypin gjerman e sidomos në radion DW, ku me një angazhim të vendosur do të denonconte pa pushim regjimin diktatorial të kolonelëve udhëhequr nga G. Papadopolos.
Është një nga nismëtarët kryesorë për themelimin e PASOKut dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të liderit historik të tij, Andrea Papandreu. Zoti Papoulias është zgjedhur për herë të parë deputet në Parlamentin grek në vitin 1977 dhe ka vazhduar deri në vitin 2004, përherë si përfaqësues i zonës së Janinës.
Në fillimet e karrierës së tij politike ka mbajtur detyrën e zv/ ministrit të Mbrojtjes dhe të Jashtëm, ndërkohë që në vitet 1985- 1989 dhe 1993-1996 ka qenë ministër i Punëve të Jashtme.
Në periudhat kur PASOK-u ka qenë në opozitë, ka mbajtur detyrën e kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme dhe të Mbrojtjes. Zoti Papoulias ishte i njohur nga shqiptarët si mik i vërtetë i vendit tonë.
Ai ka punuar me shumë guxim dhe vendosmëri për normalizimin e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Është zoti Papoulias ai që aq shumë këmbënguli në qeverinë e zotit Papandreu për heqjen në vitin 1987 të ligjit të luftës me Shqipërinë e që, fatkeqësisht, në mungesë të një vendimi edhe parlamentar, ka mbetur edhe sot si një relikte e së kaluarës, por pa asnjë ndikim në marrëdhëniet midis të dyja vendeve tona.
Për herë të parë zoti Papoulias do të vinte në Shqipëri në vitin 1985, në atë janar të dëborës së madhe dhe ngricave që kishin pushtuar të gjithë vendin e sidomos Veriun e tij.
Do të vinte në hapjen e pikës kufitare të Kakavijës, ku do të organizohej vërtet një manifestim shumë i madh, në të dyja anët e kufirit. Ishte një ngjarje e shumëpritur, sidomos për minoritetin grek. Dhe ai u prit me entuziazëm e dashuri në Kakavijë.
Në atë kohë unë drejtoja redaksinë e informacionit në Televizion dhe së bashku me gazetarin e njohur Alfons Gurashi dhe operatorin, ndër më të mirët, Gazmir Shtino, do të shkonim në atë përurim të paharruar, që do të ishte edhe një fillim i ri në marrëdhëniet e miqësisë midis të dyja vendeve dhe të dy popujve. Aty edhe do të takohesha për herë të parë me këtë personalitet të shquar.
Nga pala shqiptare për ta pritur në kufi kishte dalë z. Pajtim Ajazi, ministër i Tregtisë me Jashtë, i kulturuar dhe me vizion europianist. Dhe në takimet që kam pasur disa herë me z. Papoulias në Greqi kur isha deputet, por edhe më vonë si ambasador, do ta kujtonim këtë ngjarje.
Zoti Papoulias do të vinte për herë të parë në Shqipëri në një vizitë zyrtare në vitin 1987. Dhe do të më jepej përsëri rasti për ta takuar e për të biseduar me të, natyrisht vetëm për pak çaste.
Në përbërje të delegacionit do të ishte edhe ministrja shumë e njohur dhe e respektuar e Kulturës, Melina Merkuri, aktorja e famshme arvanitase. Kjo ishte një vizitë shumë e rëndësishme dhe që do t’i jepte një shtysë të vërtetë marrëdhënieve tona. Mesazhet e miqësisë midis popujve tanë, forcimi i bashkëpunimit midis të dyja vendeve, ishin vërtet të qarta dhe impresionuese për kohën. Në popull do të pritej shumë mirë kjo vizitë.
Kujtoj se në intervistat e shumta që gazetarët e Televizionit u morën qytetarëve në Tiranë dhe në Jug të Shqipërisë, do të flitej me respekt për popullin grek, me tradita dhe histori të lashtë, me letërsi dhe arte të njohura në të gjithë botën, me kulturë antike, frymëzuese për të gjithë Europën.
Dhe nuk duhet harruar se ende nuk kishte rënë Muri i Berlinit. Ishte ende Lufta e Ftohtë, por kjo nuk do t’i pengonte ata që u intervistuan të flisnin me dashuri për popullin grek. Zoti Papoulias do të vizitonte përsëri Shqipërinë në vitin 1993, në nëntor. (Kam shkruar më lart edhe për takimin me të në Ambasadën greke, duke qenë deputet dhe sekretar për marrëdhëniet me jashtë në PS)
Por do të vinte në Tiranë edhe një vit më vonë, në 1994-ën, për të zhbllokuar një krizë të rëndë që kishte mbërthyer dhe egërsuar si kurrë më parë marrëdhëniet tona, pas ngjarjes tragjike të prillit të atij viti, në Peshkëpi të Gjirokastrës, kur komando paramilitare greke sulmuan aty një repart ushtarak, duke vrarë edhe dy oficerë ushtarakë.
Kjo do të pasohej edhe me disa qëndrime politike e diplomatike nga ana e qeverisë shqiptare. Edhe në këtë vizitë, me cilësinë e nënkryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme, do të më jepej mundësia të takohesha përsëri me z. Papoulias, gjithnjë ministër i Jashtëm. Ai do të tregonte një vullnet politik të qartë për të kapërcyer këtë “ngrirje” në marrëdhëniet tona. Do të fliste si politikan dhe diplomat i një niveli të lartë për miqësinë midis popujve, për të parë përpara, për t’u dhënë popujve tanë mesazhe fqinjësie të mirë dhe mirëkuptimi.
Por do të më jepej rasti në Greqi të takohesha me z. Papoulias në veprimtari partiake dhe në konferenca të ndryshme rajonale. Dhe në fillimin e punës sime si ambasador në Greqi, në nëntor 2002, do të më jepej rasti të takohesha shpesh me këtë burrë shteti të shquar.
Do të bisedonim, pa harruar, natyrshëm, kujtime të vizitave të tij në Tiranë, do të më fliste gjithmonë me dashuri dhe simpati të thellë për popullin shqiptar. Njihte shumë mirë traditat, zakonet, kulturën dhe muzikën tonë. Do të më shfaqte përherë vlerësime të mëdha për shkrimtarin tonë me famë botërore Ismail Kadare.
Ai në çdo moment do të punonte për të forcuar marrëdhëniet e miqësisë midis të dyja vendeve. Në Greqi nuk besoj se ka punuar kush më shumë se zoti Papoulias për këtë. Karolos Papoulias ishte dhe mbetet një mik i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar që duhet ta respektojmë e nderojmë për kontributet e mëdha, të hershme, të hapura, miqësore në forcimin e miqësisë midis popullit grek dhe atij shqiptar.
Do të më fliste gjithmonë se “në politikë duhet guxim, duhet të lihen mënjanë të lehin ata që nuk e duan miqësinë midis popullit grek dhe atij shqiptar. Zëra e mendje të vjetra, të mykura, me formim nacionalist, ksenofob, racist, ka e do të ketë.
Ne duhet t’i mundim çdo ditë ata, të mos u lëmë asnjë hapësirë… Ata nuk janë asgjë para popullit grek që e do popullin shqiptar…”. Do të më tregonte se puna e tij për forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë “nuk ka qenë pa kosto”.
Qarqe reaksionare, antishqiptare, ksenofobe, në Greqi e kishin sulmuar ashpër në fundin e viteve ‘80, duke mos u pajtuar me vullnetin dhe vizionin e tij për fqinjësi të mirë dhe miqësinë midis të dy popujve. … Vetëm 2 ditë pas zgjedhjes së zotit Papoulias si President i Republikës së Greqisë do të më vinte mesazhi i Presidentit të Shqipërisë, zotit Alfred Moisiu, për t’ia përcjellë zotit Papoulias. Ai ishte bërë publik menjëherë në shtypin tonë, por ishte transmetuar edhe nga agjencia zyrtare greke e lajmeve ANA.
I telefonova zyrës së tij të vogël, në Kolonaki, në rrugën “Sutsu”, ku kisha qenë disa herë. Nuk do të kalonte shumë dhe do të më telefononte z. Zepas, një burrë i moshuar, por i mbajtur shumë mirë. Ai kishte qenë sekretari i përgjithshëm i MPJ me zotin Papoulias ministër dhe, me fillimin e detyrës së re, do të punonte përsëri si sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Greqisë.
Ishte një burrë i kulturuar, i qetë, zotërues i disa gjuhëve të huaja, me një përvojë të shkëlqyer edhe politike, por edhe diplomatike. Me z. Papoulias ishin miq të ngushtë dhe ai do të punonte përherë në atë zyrë, në Kolonaki, edhe kur zoti Papoulias, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2004 nuk do të ishte më deputet. Zoti Zepas do të më thoshte orën për takimin, po atë ditë, me z. Papoulias.
Shkova bashkë me diplomatin Andi Mahila. Tani edhe te hyrja e atij pallati 6-7-katësh ku ishte zyra, por edhe në korridorin pranë saj, sapo dilje nga një ashensor shumë i vogël, që nuk zinte më shumë se dy vetë, ishin vendosur roje të sigurisë. Zoti Papoulias më priti shumë miqësisht në atë zyrë fare të vogël, me një bibliotekë shumë të madhe në të majtë të tavolinës së punës, të mbushur plot me libra.
Aty ishin të vendosura edhe shumë foto, thjesht foto familjare, ku më shumë binin në sy fotot me 3 vajzat e tij… Më priti te dera e zyrës dhe më ftoi të ulesha në një karrige pranë tavolinës. Në zyrë kishte disa buqeta me lule dhe tani do t’i shtohej edhe një buqetë imja, e madhe, me karafila…
U përshëndetëm dhe e urova shumë miqësisht, tani: “Herr President!”. Më përqafoi duke vendosur buqetën me lule për një moment në tavolinë dhe duke nënqeshur do të më thoshte: “Herr Botschafter, danke!”. I dorëzova mesazhin e urimit të Presidentit Moisiu dhe përshëndetjet që më tha t’i transmetoja. I gëzuar do të më thoshte: “Është mesazhi i parë që më dërgohet drejtpërdrejt dhe vërtet jam shumë i lumtur që është urimi i Presidentit të nderuar të Shqipërisë, z. Alfred Moisiu. Ju jeni ambasadori i parë që unë takoj në këtë zyrë, tashmë si President i Republikës helene.
Do të jeni gjithnjë i mirëpritur edhe në zyrën time në Presidencë. Me Shqipërinë dhe popullin shqiptar më lidh një histori shumë e pasur dhe shumë e bukur që në vitet e mia si partizan dhe deri më sot. Kam kujtime të paharruara…”. Duke lexuar përshëndetjen e Presidentit Moisiu, me zë të ulët, disa herë do të përsëriste: “Faleminderit, faleminderit”.
Midis të tjerash, Presidenti Moisiu i shkruante se “…zgjedhja e Juaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës së Greqisë është një rast për të përshëndetur një personalitet shumë të njohur e të respektuar të politikës greke në Shqipëri, për kontributin e veçantë në të mirë të krijimit të një fryme të re mirëkuptimi e bashkëpunimi midis të dyja vendeve tona…
Shpreh vullnetin dhe gatishmërinë time për të bashkëpunuar me Ju në frymën që kërkon koha në të cilën jetojmë dhe interesat tona madhore, si dy vende e popuj fqinj të lashtë të rajonit”. Dhe duke lexuar mesazhin në variantin anglisht, zoti Papoulias ngriti kokën nga letra dhe do të më drejtohej:
“Unë, ashtu si deri më sot, do të punoj shumë për forcimin e marrëdhënieve midis të dyja vendeve dhe të dy popujve… Shqipëria ka bërë shumë përpara dhe më vjen shumë mirë që sot marrëdhëniet midis të dyja vendeve tona janë kthyer në model, jo vetëm për rajonin. Ato janë në nivelin e tyre më të lartë dhe kështu do të vazhdojmë të punojmë së bashku…
Zoti ambasador, i transmetoni Presidentit Moisiu përshëndetjet e mia më vëllazërore… Unë po ju siguroj për një gjë dhe kjo mbetet e padiskutueshme: sapo të marr detyrën si President i vendit tim, takimi i parë që do të bëj do të jetë me Presidentin Moisiu. Ky takim do të jetë shumë i shpejtë, sapo të bëj betimin si President në Parlament. Takimi i parë do të jetë me Presidentin shqiptar. Do të punoj shumë që marrëdhëniet tona të ecin gjithnjë përpara. Bashkë jemi këtu. Dera ime dhe e z. Zepas, që do të jetë sekretar i përgjithshëm i Presidencës, do të jenë përherë të hapura për ju”.
E falënderova shumë miqësisht.
Me Andin na ftoi të bënim një foto së bashku, para tavolinës së punës, në atë zyrë të vogël ku do të hyja edhe një herë tjetër, pas 3 javësh, me Kryeministrin Nano. (Dhe vërtet Presidenti i nderuar dhe miku i madh i Shqipërisë, Karolos Papoulias, do të mbante premtimin që dha: më 12 mars 2005 do të kryente në Parlament betimin si President i vendit dhe vetëm 2 javë më pas, më 28 mars, do të priste në Janinë Presidentin Moisiu)
Si përfaqësues i vendit tim, e kisha për nder dhe isha i privilegjuar që Presidenti i sapozgjedhur në detyrë, z. Papoulias, ende pa bërë betimin, do të më priste të parin dhe të vetmin ambasador në Athinë për t’i dorëzuar mesazhin e urimit të Presidentit Moisiu. Zoti Zepas do të më thoshte duke më shoqëruar deri te dera e ashensorit se “të gjitha mesazhet e urimit i kemi marrë dhe do të vazhdojmë t’i marrim nëpërmjet MPJ… Vetëm ju e kishit kënaqësinë ta dorëzonit vetë… Ju e dini, z. Papoulias e do shumë Shqipërinë dhe shqiptarët”.