Pasditen e sotme Edi Rama ishte në Kavajë ku dorëzoi çelësat e 153 banesave në pallate të reja për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019. Kryeministri u shpreh se programi i rindërtimit po e kthen sfidën e tërmetit në kthesë transformimi.
“Në Kavajë, aty ku sot në këtë prag të Vitit të Ri, dorëzojmë 153 banesa në pallate të reja, më të bukura, më të mëdha, më të forta për ata që humbën strehën në tërmetin e 26 Nëntorit. Programi i Rindërtimit po e kthen sfidën e tërmetit nga një fatkeqësi, në kthesë transformimi të zonave të prekura më fort” tha ai.
“Ky është një nga ato momente që të gjithë duan të shohin sa e rëndësishme është që politika të bjerë në duart e atyre që bëjnë punën e duhur. Këto shtëpi janë më të forta dhe më të bukura. Me një bllok banimi me standarde optimale” tha më tej ai.
E ndërsa nuk kurseu ironinë për opozitën në përplasjen Berisha-Basha për zyrat në selinë blu, kreu i qeverisë tha se banorëve askush nuk ka për t’u kërkuar asgjë për shtëpitë e reja që morën në dorëzim.
“Maksimumi është se mund t’ju ndërrojnë bravën, ndryshimin e ngjyrës së bravës, se çelësin jo. Të gjitha janë kontribut i qeverisë, i buxhetit të shtetit, shtëpitë janë tuajat dhe askush nuk vjen dhe të pretendojë asgjë. Janë tuajat për t’i trashëguar, t’i jepni me qira apo ti shisni. Si të gjithë pronarët e ligjshëm” deklaroi Edi Rama./m.j