Vrasja e ndodhur mëngjesin e sotëm në Peqin, po të shqyrtohet hap pas hapi, e ka zanafillën 5 vite përpara.
Në qershor të këtij viti, Leonard Bashaliu vrau me armë zjarri brenda një lokali Ylber Xhahysën. Ngjarje e cila ndodhi prej një inati të disa viteve më parë.
Viktima i kishte gërvishur mjetin autorit, dhe kjo ishte bërë shkak që konflikti të përsëritej.
“U zumë kot. Para 5 vitesh më qëlloi me grusht pasi më gërvishti makinën, dhe filloi debati e përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit”, deklaroi autori i ngjarjes pasi u arrestua.
Gjithashtu nga dëshmitë u mësua se Leonard Bashalliu ishte një person problematik, dhe vazhdimisht pretendonte se ishte ”i forti” i fshatit, duke nxitur përplasje me banorët e tjerë të zonës.
Por mesa duket, ngjarja nuk përfundoi me thjesht arrestimin e autorit, Leonard Bashalliu. Mëngjesin e sotëm, në mes të rrugës në fshatin Gjocaj u gjet i vrarë me armë zjarri një 35-vjeçar.
Pas identifikimit nga policia, rezultoi të ishte Albi Bashaliu, vëllai i Leonardit. Menjëherë policia shtroi idenë e hakmarrjes për këtë vrasje.
Hasmëria dyshohet të jetë pista kryesore e vrasjes, e një historie që me sa duket i dihet zanafilla por jo fundi.
/a.r