Sinjalet për variantin “Omicron” të Covid në vendin tonë janë evidentuar që në 5 dhjetor. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini e ftuar në studion e Radar Informativ dha detaje për identifikimin e këtij varianti. Tomini theksoi se bëhej fjalë për persona që kishin pasur kontakte me kontaktin primar në Kroaci. Sipas saj dy të infektuarit nuk janë hospitalizuar.
“Të gjitha mostrat e dyshuara janë dërguar përkatësisht gjatë kësaj periudhe. Që nga data 5 dhjetor është marrë sinjal mbi disa raste të dyshuara që kanë qenë kontakte të rastit primar të identifikuar në Kroaci. Është kryer njëherë hetimi epidemiologjik nga specialistët e terrenit me informacionet që u konfirmuan për rastin kontakt. Raste kanë qenë 4 të vaksinuar me dy dozat, një i shëruar dhe një rast vetëm me një dozë. Pas hetimi u evidentua edhe një rast tjetër që ishte po pjesë e takimit. Rasti ishte i izoluar. Kishte pasur shenja të mëhershme. Nuk janë raste të hospitalizuar. Kontaktet e ngushta rezultuan Omicron”,-tha ajo.
Drejtoresha e ISHP theksoi më tej se nëse do të kishte edhe më shumë raste me variantin e ri do të ishte reflektuar në pozitivitetin.
“Prezenca e dy rasteve të para nga ana shkencore ka vlera sinjifikative. Por kjo nuk do të thotë se prezenca e tyre është përgjithësuese edhe për situatën aktuale. Do të kishim reflektim të pozitivitetit. Parashikohet që kontaktet fillestare të kenë qenë në javën e fundit të nëntorit”, tha ajo.
/b.h