Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave Personale, Besnik Dervishi ka reaguar mbi skandalin e rrjedhjes së listës së pagave të mbi 600 mijë qytetarëve shqiptarë.
Duke folur në emisionin ‘Open’ në Top Channel, Dervishi ka theksuar se ngjarje të tilla ndodhin në të gjithë botën. Ndërsa ka hasur në kundërshtimin e të ftuarve duke i kërkuar se nga kanë rrjedhur të dhënat dhe a ka dështuar shteti në këtë drejtim.
Gjithashtu, Dervishi ka bërë të ditur se nesër do të nisë hetimi administrativ nga institucioni i tij, ndërsa theksoi se të dhënat mund të kenë rrjedhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Biseda në studio:
Pyetje: Kush mban përgjegjësi?1
Besnik Dervishi: Kemi studiuar bazën e të dhënave. Kemi identifikuar kontrolluesit e mundshëm që mund të ketë ndodhur kjo thyerje e të dhënave. Nesër në mëngjes fillon hetimi administrativ.
Pyetje: Nga kanë rrjedhur?
Besnik Dervishi: Nuk mund të jap të dhëna. Kushdo mund ta imagjinojë, këto administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve prej nga mund të kenë rrjedhur dhe ndaj këtij institucioni do të fillojë së pari hetimi. Kjo është pjesa administrative e hetimi ndërsa pjesa penale i përket prokurorisë.
Pyetje: A kemi një dështim?
Besnik Dervishi: Absolutisht po. Nëse kanë dalë nga kontrolluesit publikë absolutisht që nuk është gjë e mirë por janë edhe gjëra që edhe ndodhin.
Pyetje: Po shteti nuk duhet t’i nxjerrë në pazar
Besnik Dervishi: S’po e justifikoj atë që ka ndodhur, do presim konkluzionet e hetimit por mund t’ju sjell shembuj që kanë ndodhur edhe në Itali ku janë marrë të dhëna dhe janë përpunuar të dhëna të zgjedhësve.
g.kosovari