Një nga marrëveshjet që u nënshkrua sot nga Rama, Vuçiç dhe Zaev është bashkëpunimi në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimore për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor.
Në Forumin Rajonal për Bujqësi dhe Bashkëpunim Rajonal, kryeministri Edi Rama vuri theksin te rëndësia e kësaj marrëveshjeje, duke marrë shkas nga problematikat dhe shqetësimet e ngrituar prej vitesh në këtë sektor.
Kreu i qeverisë deklaroi se fermerët, tregtarët, eksportuesit do të shohin përfitimet e këtij nënshkrimi duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm.
“Unë jam i kënaqur që kemi nënshkruar marrëveshjen e rëndësishme në këtë sektor, pasi jemi përballur vite me radhë me shqetësimet, kërkesat dhe fajësimet nga njerëzit e këtij sektori që tregtojnë mes vendeve tona. Të gjitha këto marrëveshje do të ndryshojnë natyrën e ndërveprimit midis vendeve, pasi praktikisht ne me këtë marrëveshje kemi hequr pengesat që ua kanë bërë jetën njerëzve në këtë sektor shumë të vështirë kur përpiqen të kalojnë kufijt midis vendeve tona. Mund të tingëllojë diçka mjaft teknike, por nuk tingëllon e tillë për ata që janë pjesë e këtj grupi shumë të madh, fermerësh, prodhuesish, eksportuesish, tregtarësh. Këto marrëveshje trajtojnë çështjet më thelbësore të veprimtarisë së tyre ndërkufitare. Jam i sigurt që sot numri i kompanive që shkojnë nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut në Serbi për të eksportuar produktet e tyre, do të jenë të lumtur sepse për ta tashmë rruga është tejet e hapur, është tërësisht një veprimtari pa kufi. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Nëse marrim parasysh që pas kaq shumë vitesh, kjo platformë jetike për ta nuk u ndërtua, sot ne praktikisht e themeluam atë me mënshkrimin tonë. Që nga janari i vitit të ardhshëm, ata do të shohin përfitimet e këtij nënshkrimi. Shpresojmë që ky takim i parë do të jetë vetëm nisja e një pune midis jush, së bashku, duke kuptuar që tashmë është koha për të investuar më shumë më tepër në transferimin e dijeve, në novacionin e bujqësisë, në teknologji.”
/a.r