Ish-kryetari i bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe heq dorë nga shqyrtimi i çështjes së tij për shkarkimin nga detyra. Nëpërmjet avokatit, Tushe ka hequr dorë nga kërkesa e tij për shkarkim.
Seanca do mbahej ditën e sotme por dështoi për shkak të tërheqjes. Tushe u shkarkua nga detyra e kryetarit të Bashkisë Lushnje me vendim qeverie pasi u arrestua.
Tushe u arrestua me 6 korrik bashkë me ish-vartësit e tij për akuzën shpërdorimit të detyrës dhe do të vijojë të qëndrojë në burg pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka rrëzuar për të katërtën herë kërkesën e tij për liri.
Arrestimi i Tushes u bë lidhur me një tender me vlerë rreth 23 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. SPAK pretendon se ish kryebashkiaku i Lushnjes, ka kryer shkelje për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh.
Sipas SPAK ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqej shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i ish kryebashkiakut.
Një tjetër episod kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës, dhe ai i përgjigjet “Thuaji që fola me shefin”.
g.kosovari