Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në SPAK gjashtë funksionarë të Bashkisë së Kurbinit të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Nga auditimi i bërë në Bashkinë e Kurbinit për periudhën 01.01.2019 – 30.06.2020, KLSH ka konstatuar shkelje dhe parregullsi në procedurën e prokurimit publik me objekt “Ndërtimi i rrjetit të jashtëm e të brendshëm të Ujësjellësit të Qytetit Laç”.
NJOFTIMI I KLSH
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar të organeve të pushtetit qendror dhe vendor, ka ushtruar auditim pranë Bashkisë Kurbin për periudhën 01.01.2019 – 30.06.2020.
Nga ky auditim janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish që lidhen me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrjetit të jashtëm e të brendshëm të Ujësjellësit të Qytetit Laç faza I, Bashkia Kurbin”, të cilat bien në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe aktet nënligjore të miratuara në zbatim të tij.
Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kallëzimin penal për gjashtë funksionarë të Bashkisë Kurbin për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
g.kosovari